Ballina Flash

Kurti: Mungesa e sanksioneve e ka shtuar agresivitetin e Serbisë

PRISHTINË, 18 prill /ATSH/ Kryeministri Albin Kurti tha sot se mungesa e sanksioneve e ka trimëruar agresivitetin e Serbisë. Kreu qeveritar i ka kualifikuar si veprime të një shteti mafioz ndalimin e zyrtarëve policorë të Kosovës dhe qytetarëve të tjera në pikat kufitare me Serbinë. Duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç, Kurti tha se shpreson se tash do të fillojë një etapë e re ku Kosova dëshmohet se është shtet demokratik, ndërsa Serbia vend autoritar dhe mafioz.

Kurti në konferencë për medie pas mbledhjes së qeverisë të enjten, tha se Serbia me ndalimet e djeshme ka shkelur të drejtat e njeriut, marrëveshjet e Brukselit dhe të Procesit të Berlinit. Duke folur për dialogun me Serbinë, Kurti tha se me këto veprime po vihet në pikëpyetje Marrëveshja Bazike e Brukselit dhe aneksi i Ohrit.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se dje janë ndaluar dhe keqtrajtuar rreth 1500 qytetarë kosovarë në pikat kufitare me Serbinë. Sipas tij, qytetarët e ndaluar janë marrë në pyetje në lidhje me të kaluarën e tyre dhe lidhjet me UÇK-në. Ai tha se nga dhjetë policë të ndaluar, nëntë prej tyre janë liruar, ndërkaq është dërguar në paraburgim në Rashkë, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç.

I pyetur nëse do të ndërhyjë Policia e Kosovës në hapjen e qendrave të votimit në katër komunat veriore, Sveçla tha se do të jenë në asistim të çfarëdo vendimi të KQZ-së.

/KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – Borrell: Jemi në prag të luftës në Lindjen e Mesme
Artikulli tjetërPrezantohet libri “Vallëzim me Hënën” i shkrimtarit Namik Dokle