Ballina Flash

Elbasan, nis shpërndarja e koshave për mbetjet e diferencuara

TIRANË, 18 prill /ATSH/ Në qytetin e Elbasanit ka nisur vendosja e koshave të diferencuar me qëllim grumbullimin e mbeturinave në mënyrë të diferencuar.

Në moton “Ndaj riciklo, ruaj” 200 kosha të rinj po vendosen në 5 rrugë kryesore të qytetit, më konkretisht në bulevardin “Aqif Pasha”, rruga “Qemal Stafa”, rruga “Thoma Kalefi”, rruga “Rinia”, si edhe “28 Nëntori”.

“Vendosja e koshave të diferencuar na ndihmon të bëjmë hapa para në menaxhimin e mbetjeve urbane, me qëllim që të gjithë bashkë ta bëjmë Elbasanin më të pastër”, tha kryetari i bashkisë, Gledian Llatja.

Katër kosha, dy në ngjyrë blu janë vendosur për të hedhur mbetjet urbane, një jeshil dhe një i verdhë janë të specifikuara për të hedhur mbetjet plastike karton, si edhe qelq, metal.

Duke filluar që nga dita e sotme në këto 5 lagje të mëdha të qytetit të Elbasanit do të nisë mbledhja e diferencuar e mbetjeve, me qëllim për një qytet më të pastër dhe më të gjelbër.

Për t’u njohur më mirë me këtë projekt, bashkia e Elbasanit ka bërë edhe një fushatë të gjerë sensibilizimi duke angazhuar të rinjtë e qytetit, si edhe konkursin “Shkolla e Gjelbër” me gjimnazistët e qytetit me qëllim ndarjen e mbetjeve në koshat përkatës.

Muaji prill është muaji i ndërgjegjësimit për menaxhimin e mbetjeve urbane, në kuadër të kësaj fushate u realizua vendosja e koshave në bulevardin kryesor të qytetit, për të vijuar në lagjet e tjera.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPavijoni shqiptar në Venecia, nis edicioni i 60-të i Bienales së Artit
Artikulli tjetërTabaku: Institucioni i Prefektit ka dështuar në territor, nevojitet reformë tërësore