Ballina Aktualitet

Bardhi: Do ta dërgojmë sërish në Kushtetuese mandatin e Olta Xhaçkës

TIRANË, 17 prill /ATSH/ Grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të dërgojë sërish në Gjykatën Kushtetuese çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës, u shpreh sot kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazement Bardhi në përfundim të mbledhjes së grupit.

“Grupi sot ka vendosur që do të ridepozitojë në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për mandatin e Olta Xhaçkës si shprehje e vullnetit të plotë që ne nuk pranojmë që në vitin 2024 të shkelen hapur vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të shkelen hapur vendimet e drejtësisë duke i bërë mbrojtje politike një eksponenti të lartë të mazhorancës”, theksoi Bardhi.

“Unë besoja se zoti Basha nuk kishte asnjë arsye për ta marrë në mbrojtje edhe ai si zoti Rama, Olta Xhaçkën dhe shpreh aboslutisht indinjatën time, edhe të kolegëve që janë rreshtuar me zotin Basha nuk kanë pranuar thirrjen tonë për t’iu bashkuar kësaj padie sipas detyrimit. Tregojnë qartë se kush është në favor të drejtësisë, me vepra dhe jo me fjalë. Refuzuan të dorëzojnë Olta Xhaçkën. Bëhet fjalë për kolegun Arbi Agalliu, kolegen Orjola Pampuri, kolegia Merita Bakiu dhe kolegu Selaudin Jakupllari”, nënvizoi Bardhi

Ndaj deklaratës së Bardhit reagoi deputeti i PD, Arbi Agalliu, i cili në një postim në rrjetet sociale u shpreh se, PD nuk është dhe nuk do bëhet kurrë pjesë e pazarit Rama-Berisha për të amnistuar të korruptuarit.

Sipas tij, ata janë bërë bashkë në luftë kundër SPAK

“Partia Demokratike nuk është edhe nuk do të bëhet pjesë e pazarit të Berishës dhe Ramës. Lojërat e ulëta të tyre janë thjesht për t’i hedhur hi syve qytetarëve”, u shpreh Agalliu.

“Pazari i tyre është i qartë, luftë kundër SPAK-ut dhe amnisti për të korruptuarit”, nënvizoi ai.

“S’ka asnjë koicidencë. Në ditën që kryetari i grupit të Linditës (të cilës ju amnistua edhe vila që e denonconte në çdo seancë) kërkon kthimin e Berishës në PD, amnistohet Olta Xhaçka”, theksoi Agalliu./a.f/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKamberi: Serbia filloi masa represioni ndaj shqiptarëve, qytetarët e Bujanocit po ndalohen te “Dheu i Bardhë”
Artikulli tjetërMUZIKË – James McCartney dhe Sean Ono Lennon publikojnë një këngë të përbashkët