Ballina Aktualitet

Zaçaj pret Gonzaton: Kushtetuesja, përpjekje për të forcuar efektivitetin e vendimmarrjes

TIRANË, 15 prill /ATSH/ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, priti në një takim zyrtar kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadorin Silvio Gonzato.

Gjatë takimit, Zaçaj ndau me Ambasadorin përpjekjet e vazhdueshme të Gjykatës për të forcuar efektivitetin e vendimmarrjes dhe veprimtarisë së saj, si dhe u ndal te disa prej arritjeve më kryesore të kësaj periudhe si hartimi i Udhërrëfyesit të parë të Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, transmetimi i seancave gjyqësore në live stream, përmirësimi i komunikimit të Gjykatës me median dhe publikun nëpërmjet organizimit të konferencave për shtyp pas vendimmarrjeve më të rëndësishme etj.

Nga ana e tij, ambasadori Gonzato, duke e vënë theksin në rëndësinë që mbart realizimi me sukses i reformave, si dhe niveli i ndërveprimit me autoritetet publike dhe shoqërinë civile për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, shprehu angazhimin për mbështetjen e veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese, si një institucion kyç për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, promovimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

“Diskutuam për punën e Gjykatës dhe bashkëpunimin tonë të ardhshëm në mbështetje të këtij institucioni kyç të sistemit demokratik të Shqipërisë”, u shpreh ambasadori Gonzato.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTEL AVIV – Izraeli heq kufizimet emergjente për tubimet civile
Artikulli tjetërHodhën fishekzjarre në vende të ndryshme, kapen në flagrancë 3 shtetas