TIRANË, 5 prill /ATSH/ Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, deputetë të opozitës dhe mbështetës të Rithemelimit kanë zhvilluar sot një protestë përpara bashkisë së Tiranës.
Protesta është thirrur pas arrestimit me urdhër të SPAK të disa ish-drejtorëve të kësaj bashkie. Në protestë morën pjesë qytetarë dhe përfaqësues të opozitës.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i pranishëm në protestë, tha se “kjo është protestë e shoqërisë civile. Si deputet dhe përfaqësues i qytetarëve, e kemi për detyrë të jemi në mbështetje të tyre. Zyrtarë të afërt me Veliajn kanë guxuar të vjedhin. Veliaj do të duhej të ishte me 5 vartësit e tij në qeli dhe jo në zyrën e bashkisë”.
“Ka shumë arsye për të protestuar. Ky nuk është një rast i shkëputur. Nëse hetoni, kjo është skemë e shtrirë në çdo bashki të vendit. Opozita, do të duhet t’i prijë qytetarëve për të bërë të mundur hetimet”, tha Bardhi.
Në protestë ishte i pranishëm edhe deputeti i PD-së, Flamur Noka, i cili tha se “qytetarët po protestojnë pasi në krye të bashkisë së Tiranës është simboli i babëzisë dhe kreu i vjedhjes me skemën ‘5D’ dhe inceneratorëve”.
Noka kërkoi dorëheqjen e Veliajt, pasi sipas tij, ai nuk mund të përfaqësojë më qytetarët e Tiranës dhe nuk mund t’i besohen më taksat e tyre.
Protestës iu bashkua edhe Argita Malltezi, vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
“Sigurisht që protesta dhe reagimi popullor do t’i shërbejë jo vetëm rrëzimit të këtij sistemi dhe këtij modeli që është një kancer për shoqërinë shqiptare, por në radhë të parë për çeljen e rrugës së ndërtimit të një modeli që të jetë i qëndrueshëm për të gjithë ata që duan të jetojnë në Shqipëri, për të gjithë ata që duan t’i rrisin fëmijët e tyre në Shqipëri. Kështu që unë jam me shpresë që kjo protestë do të mbështetet dhe do të ketë solidarizim nga masa e gjerë”, tha Malltezi
Meta bëri thirrje qytetarëve të Tiranës, të gjithë qytetarëve shqiptarë, të bashkohen kundër projektit shfarosës së kombit.
“Zgjedhjet e blera dhe të vjedhura, me paratë e krimit të organizuar, nuk e mbajnë dot gjatë aty Erion Velinë. Të punësuarit e Prokurorëve në SPAK., Prokurori të Tiranës, aparatamentet që kanë marrë të afërmit e tyre, favore që u kanë bërë ndërtuesit, që kanë shkatërruar Tiranën, për llogari të Erion Velisë.
Protestuesit kanë gjuajtur në drejtim të bashkisë me vezë dhe me mollë, si dhe kanë tentuar që të futen në ambientet e brendshme, duke shtyrë kordonin e policisë.
/k.s/r.e/























