TIRANË, 5 prill / ATSH/ Prezenca e OSBE-së, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor dhe Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (sipas vizionit për Akademinë e Pushtetit Vendor) mblodhën, në një takim konsultues online, aktorët kryesorë për të prezantuar draftkurrikulën e vlerësimit të kapitalit natyror për bashkitë, njoftoi sot Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.
Kjo nismë e Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor dhe e aktorëve kryesorë të sistemit (AMVV, ASPA, Shoqata e Qarqeve) mbështetet nga programi i qeverisjes vendore të Prezencës së OSBE-së.
Hartimi i kurrikulës së konsoliduar për vlerësimin e kapitalit natyror do t’u vijë në ndihmë bashkive që të forcojnë kapacitetet e stafeve teknike dhe të sigurojnë një menaxhim të plotë të aseteve, burimeve natyrore dhe kapitalit të tyre.
Kurrikula për vlerësimin e kapitalit natyror u bazua në metodologjinë e zhvilluar nga Prezenca, që u testua më pas në bashkinë Mat, më 2021.
Pas përfundimeve paraprake, bashkë me Ministrinë, u bë i mundur testimi edhe në tri bashkitë e tjera, Roskovec, Selenicë dhe Pogradec më 2022.






















