Ballina Aktualitet

Partia e Lirisë propozon masat për ndalimin e shpopullimit

TIRANË, 3 prill/ATSH/ Komiteti Drejtues Kombëtar i Partisë së Lirisë miratoi dje 5 prioritetet kryesore për 10 vitet e ardhshme të Partisë së Lirisë të cilat përfshijnë ndër të tjera edhe  ndalimin e shpopullimit.

Po ashtu këto prioritete kanë në fokus rritjen e pensioneve mbi nivelin e mesatares së rajonit brenda një mandati qeverisës; arsimin dhe investimin tek kapitali njerëzor; bujqësinë, ushqimin dhe uljen e kostos së jetesës; si dhe ambicien për shndërrimin e Shqipërisë në fuqi eksportuese.

Në një deklaratë për medie Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi u shpreh se projekti ynë madhor është që në 20 vitet e ardhshme, Shqipëria të ketë 4 milion qytetarë shqiptarë rezidentë.

“Për këtë, në projektin e Partisë së Lirisë, do të realizojmë: ndalimin e menjëhershëm të shpopullimit, gjenerimin e rritjes më të lartë ekonomike, përmirësimin e jetesës dhe uljen e kostos së saj, paga më të larta, me mundësi strehimi e krijimi familjeje, si dhe me cilësi më të lartë të shërbimeve publike të arsimit dhe shëndetit publik”, u shpreh Blushi.

Ai renditi po ashtu masat konkrete që duhet të ndërmerren për realizimin e këtyre objektivave të cilat përfshijnë dyfishimin e pensionit dhe të pagave të mësuesve dhe mjekëve si dhe rritjen e nivelit të pagave për punonjësit mbi mesataren e rajonit.

Po ashtu, Blushi u shpreh se propozohet mbështetja e aktiviteteve prodhuese, në fushën e IT dhe inovacionit në masën 10000 euro për start-upet dhe tax-free për 5 vite.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakArkivi i Shtetit digjitalizon 220 mijë dokumente arkivore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë
Artikulli tjetërBRUKSEL – Cameron u kërkon aleatëve të NATO-s të përmbushin zotimin e shpenzimeve prej 2%