Ballina Aktualitet

Açka: Ngritja e komisionit parlamentar kundër dezinformimit e nxituar

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Kryetarja e komisionit parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit, Flutura Açka e konsideroi sot të nxituar vendimin e Konferencës së Kryetarëve për ngritjen e komisionit parlamentar kundër dezinformimit.

Açka u shpreh se vendimi për ngritjen e këtij komisioni i duket i parakohshëm.

“Jo pa arsye ishte i nxituar vendimi për kalimin e komisionit të posaçëm për dezinformimin. Në fakt unë ngrita parashtresat e mia që janë disa arsye se pse është i nxituar, jo se jam kundër këtij komisioni. Por më duket e shumë e parakohshme dhe nuk është argumentuar mjaftueshëm që të jetë bindës për të kaluar në Konferencën e Kryetarëve”, u shpreh Açka.

Si kryetare e Komisionit të Medies, Açka u shpreh se ka hijet e saj të dyshimit se, “kjo do të jetë një arsye për të kontrolluar ndoshta më shumë median në Shqipëri, por edhe për të lënë pas dore punën e disa institucioneve të tjera të rëndësishme që i mbulojnë këto fusha”.

“Por edhe për të kontrolluar ndoshta AMA-n, e cila e ka bërë në mënyrë të vazhdueshme këtë vetërregullim. Por edhe me ndryshimet e fundit që kemi bërë, që kemi sjell në nëntorin e vitit të kaluar, ne kemi sjell ndryshimet në ligjin e AMA-s që i rregullojnë këto çështje, të cilat ky komision do të mblidhet”, tha ajo.

Açka theksoi se është kërkuar që të ketë një bashkëkryetar të opozitës në këtë komision, në mënyrë që edhe opozita të ketë mundësi që të ketë kontroll mbi veprimtarinë e këtij komisioni.

“Po them nga kërkesat e para që kam pasur nga aktorë të caktuar mediatik, është ngritur dyshimi që objekti i këtij komisioni ndoshta do të keqpërdoret dhe do të përdoret ndoshta për të kontrolluar. Meqenëse jemi në një vit zgjedhor, duam nuk duam ne dhe kohëzgjatja e këtij komisioni që është fiks një vit i plotë deri në zgjedhjet e ardhshme mund të na çojë ndoshta për shkak të objektit që ka nga një lloj mbikëqyrje deri te ndryshimi i kuadrit ligjor, ndoshta mund të përdoret në një moment të caktuar për të ndryshuar edhe Kushtetutën në funksion të grabitjes së zgjedhjeve. E them me keqardhje këtë gjë, sepse përderisa një komision i tillë ka në dorë, ne kemi një përvojë të hidhur nga ndryshimet Kushtetuese të vitit 2020, kush na garanton që nuk do të ketë një ndryshim tjetër Kushtetues në funksion të zgjedhjeve të ardhshme”, tha Açka.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKQZ dhe OSBE, tryezë për shtrirjen e edukimit zgjedhor
Artikulli tjetërSOFT NEWS – As celular dhe as laptop, përndryshe je i paftuar!