Intervista nis në minutën 15:00′
TIRANË, 29 mars /ATSH/ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në SHBA, dha një intervistë për Zërin e Amerikës, ku bëri një përmbledhje të shkurtër të qëllimit të takimeve të zhvilluara me disa nga personalitetet më të larta të drejtësisë në Washington D.C, rolit të Gjykatës Kushtetuese, marrëdhëniet me parlamentin dhe sfidat me të cilat kjo gjykatë po ndeshet në punën e saj.
Disa nga zyrtarët e lartë amerikanë me të cilët delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë zhvilloi takime, ishin zëvendësndihmësi i Prokurorit të Përgjithshëm, Bruce Swartz dhe zëvendësndihmësja kryesore e Sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Yuri Kim.
Në këtë intervistë, kryetarja Zaçaj pohoi se gjatë takimeve me zyrtarët e lartë në Washington D.C., u trajtuan çështjet më të rëndësishme aktuale të gjyqësorit dhe drejtësisë shqiptare dhe u fol veçanërisht për rëndësinë që Gjykata Kushtetuese ka në zgjidhjen e konfliktit të kompetencave midis organeve shtetërore, në interpretimin përfundimtar të Kushtetutës dhe garantimin e respektimit të të drejtave dhe lirive themelore.
E pyetur nga gazetarja e Zërit të Amerikës, Kejda Kostreci, në lidhje me kritikat e opozitës për vendimmarrjen e çështjes Rama-Meloni, Zaçe u shpreh se palët e pakënaqura kanë të drejtën e tyre të kriticizmit, si e drejtë e lirisë së shprehjes, çka i mundëson të gjithë aktorëve të japin mendimin e tyre.
“Në çdo vendim të gjykatës ka palë të pakënaqura. Gjykata vepron në mënyrë hermetike. Gjyqtarët janë të pavarur dhe nuk veprojnë nën presion”, u shpreh ajo.
E pyetur mbi diskutimet për çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, Zaçaj tha se “situata e pazakontë dhe e pamundur për të ndodhur në një shtet demokratik. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhen të zbatohen. Institucionet që i kanë për detyrë, t’i zbatojnë dhe duhet të sillen në mënyrë kushtetuese”.
E pyetur për votën e emigrantëve, Zaçaj u përgjigj se “gjykata flet me vendime, duhet të zbatohen, nuk është lënë në dorë të politikës të vendosi se si dhe në ç’mënyrë duhet të zbatojnë vendimet, ato janë të vetëzbatueshme. Çdo vendim që nuk përkon me atë të Gjykatës Kushtetuese nuk janë vendimet apo veprimet e duhura”.
Kujtojmë se kjo vizitë vjen pas ardhjes së Sekretarit të Shtetit Blinken në vendin tonë ku nëpërmjet një postimi në Twitter pohoi se reforma në drejtësi është thelbësore për Shqipërinë dhe përpjekjet e saj për integrim në BE dhe i përgëzoi drejtuesit e reformës në drejtësi në progresin e tyre në avancimin e shtetit të së drejtës dhe luftimin e korrupsionit.
/r.e/























