TIRANË, 22 mars/ATSH/ Besimtarët bektashianë kremtojnë sot Ditën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu.
Zyrtarë të lartë dhe politikanë uruan sot të gjithë besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Nevruzit.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dha “urimet më të mira për besimtarët bektashinj, në këtë ditë të rilindjes shpirtërore. Gëzuar Sulltan Novruzin!”
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi uroi për më shumë mirësi e begati për të gjithë besimtarët. “Gëzuar festën e Sulltan Novruzit! Paqe, mirësi, begati për të gjithë besimtarët bektashinj”, uroi Peleshi.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla zgjodhi pamje nga Teqeja e Abaz Aliut, në Malin e Shenjtë të Tomorit, për të uruar Festën e Sulltan Novruzit.
“Urime të gjithë besimtarëve bektashinj me fjalët e ndritura të poetit tonë të madh Naim Frashëri: ‘Sot është një ditë e re që përsëritet moti, lind vera, lind ngrohtësia, lind Aliu, lind vet Zoti'”, u shpreh Balla.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu uroi po ashtu Festën e Sulltan Nevruzit për të gjithë besimtarët bektashinj.
Edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu uroi festën e Sulltan Nevruzit, festën e ditës së re, ripërtëritjes së shpresës dhe besimit.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali me rastin e ditës së bukur të Sulltan Nevruzit, ishte për vizitë në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, nga ku i shprehu urimet e përzemërta Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj. “Gëzuar të gjithë besimtarëve bektashianë! Paqe, mbarësi dhe harmoni në familjet tuaja”, ishte urimi i Spiropalit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj uroi që kjo ditë e shenjtë të sjellë dritë, dashuri dhe harmoni në zemrat dhe shtëpitë e të gjithëve. “Gëzuar Ditën e Sulltan Novruzit të gjithë Komunitetit Bektashian”, uroi Veliaj.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha uroi të gjithë besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Nevruzit.
“Nga zemra i uroj të gjithë besimtarët bektashinj Gëzuar Sulltan Nevruzin. Zoti e bëftë dritë për zemrat dhe shtëpitë e shqiptarëve dhe mbarë kombin”, shkruan Basha.
/r.e/























