TIRANË, 19 mars/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca gjatë një interviste televizive, u shpreh se një investim strategjik si ai i sipërmarrësit amerikan Jard Kushner, është i mirëpritur, pasi i jep vlerë bregdetit dhe ekonomisë së vendit.
Sipas Ndrecës, investimet strategjike nga SHBA i japin vlerë tjetër jo vetëm ekonomisë së vendit, por dhe marrëdhënieve ekonomike e politike mes dy vendeve aleate.
“Shqipëria në rastin se vendoset, jo vetëm për këtë rast, por në të gjitha rastet që vlerësohet se ka një investim strategjik, sipas parashikimeve ligjore, sigurisht i jep një vlerë asaj prone, bregdetit shqiptar dhe të gjithë ekonomisë shqiptare. Ardhja e investitorëve të tillë strategjikë nga SHBA, që i kemi dhe aleat strategjik, janë të mirëpritura, pasi i japin vlerë ekonomisë dhe i japin vlerë dhe marrëdhënieve politike mes dy vendeve. Jo se është dhëndëri i Trump, por është sipërmarrës amerikan, ndikon në marrëdhëniet ndërshtetërore mes dy vendeve. Sazani është perlë, por ka 30 vite që nuk vihet në punë, nuk shfrytëzohet”, tha Ndreca.
Sipas tij, projekti i Sazanit është paraqitur tek Agjencia për Investimet e Huaja (AIDA) dhe pritet vlerësimi i kësaj oferte.
“S’ka asnjë pikëpyetje. Kryeministri e shpjegoi shumë qartë. Ka një interes nga një investitor, si zoti Kushner. Ka aplikuar në AIDA, dhe është një projekt që do vlerësohet si çdo projekt tjetër. Është një projekt që ka në krah, ka partnerë një nga kompanitë më të mëdha në botë në fushën e investimeve në turizëm. Por, mbetet për t’u parë se si është oferta e tyre, duhet parë se si kjo ofertë është në raport me ligjin për investimet strategjike dhe më pas do të kalojë në qeveri, ku do vlerësohet se si do të vijohet me këtë projekt”, theksoi Ndreca.
“Konkursi? Ka një ligj për këtë. Ka një ligj se si vlerësohen ofertat dhe investitorët e huaj. Ka një ligj për investimet strategjike, që vlerëson të gjithë procesin dhe cakton rrugën ligjore. E kam dëgjuar pse nuk bëni me garë? Po garë s’ka kur bëhet investim strategjik, është një ofertë që do vlerësohet, siç është bërë për shumë kërkesa të tjera për investimet strategjike”, shpjegoi Ndreca.
Ai tha se “për Zvërnecin s’ka absolutisht asnjë kërkesë zyrtare deri më tani, s’ka dorëzuar askush kërkesë për investim strategjik. Për Sazanin është konfirmuar që ka një kërkesë”.
Deputeti i Partisë Socialiste tha se ligji për investimet strategjike e ka kthyer vendin në një hapësirë investimesh për brendet e njohura botërore.
“Nëse po flasim për ligjin e investimeve strategjike, është diskutim tjetër. Ky debat bëhet në parlament dhe diskutohet dhe vendoset ose jo, ndryshimi i tij në parlament. Ne besojmë se ligji është i mirë. Po vijnë oferta falë këtij ligji. Sot mund të flasim dhe debatojmë për ofertat, ndërsa dje se kishim mundësinë të flisnim për ofertat dhe këtë e mundëson ky ligji. Sot po vijnë brendet ndërkombëtare më të rëndësishmet për të cilat po flasim. Dje nuk afrohej asnjë investitor, sot erdhi kemi një ofertë për Sazani. Si erdhi ky zotëri në Sazan? Aty ishte Sazani edhe dje. Ke vende kufitare të tmerrshme, në aspektin pozitiv, sa i takon ofertës turistike: Greqia, Mali i Zi, Kroacia. Si mund t’i konkurrosh ato me procedura, kur në vetvete procedurat i largojnë investitorët? Ne duhet të bëhemi ofertë, ky është interesi ynë, të jemi ofertë shumë e mirë europiane, mesdhetare, duke ndërtuar dhe legjislacion të tillë, për të bërë të mundur këtë lloj ofertimi. Këtë të mirë ka sjellë ky ligj”, tha Ndreca.
“Pastaj se si mund ta përmirësojmë ligjin, hajde ta diskutojmë, pasi ligji mbron interesin publik në fund të ditës. Se si respektohet ligji i investimeve strategjike, akoma s’më rezulton se ka një realizim të gabuar. Sot që flasim nuk di që ka aplikim të gabuar me një vendim të gjykatës së formës së prerë, që x procedurë është e gabuar apo nuk është bërë në zbatim të ligjit”, përfundoi Ndreca.
/r.e/























