Ballina Flash

Finalizohen 2 operacione policore në Tiranë e Vlorë

TIRANË 13 mars/ATSH/  Policia e Tiranës dhe e Vlorës kanë finalizuar dy operacione policore kundër paligjshmërisë.

Në Tiranë, në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar “Tempulli 2”, u finalizua me sukses nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, operacioni policor i koduar “Furnizuesi”. Gjatë operacionit u sekuestrua një sasi farash të dyshuara narkotike kanabisi, (4000 fara), dhe u prangos poseduesi i tyre.

“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në vijim të megaoperacionit “Tempulli 2”, për një shtetas i cili transportonte fara kanabisi, me qëllim shitjen kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Furnizuesi”. Si rezultat u arrestua në flagrancë një shtetas 17 vjeç, banues në Durrës. Gjatë kontrollit fizik dhe çantës së tij, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan sasi farash të dyshuara narkotike kanabis (4000 fara).”, njofton Policia e Tiranës.

Në Vlorë, u procedua një 34-vjeçare, e cila tregtonte online veshje të ndryshme të kontrabanduara

“Në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Vlorë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Tranzit 3”, si rezultat i të cilit u godit një rast i tregtimit të mallrave të kontrabanduara. Për këtë rast u refruan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen:  D. H., 34 vjeçe, banuese në Vlorë, për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.

Gjatë kontrollit në ambientin ku kjo shtetase dyshohet se magazinonte veshje të cilat i shiste online, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, veshje të ndryshme me vlerë rreth 7 000 euro, për të cilat kjo shtetase nuk dispononte faturën përkatëse të deklarimit në autoritetin doganor. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.”, bën të ditur Policia e Vlorës.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMbi 61 mijë mjete u paraqitën për kontroll teknik në 2 muaj
Artikulli tjetërMete takon të Ngarkuarin me Punë të SHBA, USAID mbështetje për Shqipërinë deri në 2030-ën