Ballina Aktualitet

Kulluri: Bashkimi i “Rithemelimit” me Gazin e Gonin, garanton humbje akoma më të thellë

TIRANË 6 mars/ATSH/ Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, Edvin Kulluri, ka reaguar në rrjetet sociale për vendimin e “Rithemelimit” për të integruar brenda saj Gazment Bardhin, Agron Gjekmarkajn etj.

Sipas Kullurit, bashkimi i Bardhit me Berishën e çon në një humbje edhe më të thellë opozitën.

“Ata e dinë dhe vetë që kjo është “rrugicë qorre”. Bashkimi i opozitës në një formacion politik, koalicion apo listë të përbashkët është gjëja më normale që duhet të ndodhë një vit e kusur para zgjedhjeve të 2025 pas 11 vitesh opozite të paprecedentë të PD. Por bashkimi duhet të ketë një modalitet legjitim dhe duhet të ketë një bazë morale politike. Përndryshe është pazar”, shkruan Kulluri.

Sipas tij, “problemi nuk është retorika dhe akuzat e ndërsjella Berisha-Bardhi-Noka etj., përveç atyre për “vrasje” që i kanë drejtuar njëri-tjetrit. Këto janë normale në një situatë konflikti si ajo e pas 8 shtatorit 2021 dhe 8 janarit 2022! Çështja është se Bardhi me shokë e shoqe, kanë shkelur mbi një vendim politik të rëndësishëm që e kanë shkruar e votuar po vetë, si Rezoluta e 18 dhjetorit 2021 me arsyetimin se nuk do bashkëpunonin me një person “non grata” si Berisha”.

“Po ashtu akuzat e Bardhit ndaj Berishës për “vrasjet në Gërdec” dhe të Berishës ndaj Bardhit për “vrasje në Elbasan” janë akuza të karakterit penal. Nëse në këtë vend do kishte sistem normal drejtësie, Berisha dhe Bardhi duhet të ishin thirrur “kryesisht” nga Prokuroria për të vërtetuar akuzat e rënda që kanë lëshuar ndaj njëri-tjetrit!”, vijon argumentin e tij Kulluri.

“Por tejkalimi dhe shkelja pa u dridhur qerpiku i vendimeve të marra po vete nga Gaz Gardhi me shokë apo akuzave për “vrasës” është bërë vetëm me një arsyetim: Berisha ka me vete shumicën e demokratëve! Pra ka më shumë vota dhe vende për të marrë një mandat deputeti në 2025. Kaq është gjithë historia. Një mundësi për një vend pune në politikë”, thekson Kulluri.

“Dhe e gjithë kjo përdorje që i bëhet “shumicës së demokratëve” fshihet pas përrallave me “fitore” dhe “revolucion”. Në këto 7 vite kjo është hera e 6-të që premtohet “fitore” si ajo e 2017, 2019, 2021, 6 marsit dhe 14 majit. Dhe Gazi me shokë kanë qenë aty pa arritur asnjë fitore, por vetëm humbje pas humbjeje. Biles Bardhi ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i PD në këtë kalvar humbjesh. Aq më keq i PD zyrtare që Berisha me shokë e cilësojnë si “pakicë”. Dhe po të mbledhësh bashkë votat e 2 PD-ve, humbja në 2025 është e sigurt. Bashkimi i Rithemelimit me Gazin e Gonin etj., garanton një humbje akoma më të thellë. Dalja në zgjedhjet e 2025 e opozitës në kushtet që jemi, nuk çon drejt fitores as me matematikë e as me moral politik”, nënvizon Kulluri.

“Elektorati i djathtë sot e prej kohësh ndahet në 3 kategori: Rithemelimi, PD zyrtare dhe votuesit indiferentë ndaj të dyja palëve. Pa këta të 3, fitorja është iluzion që shitet nga Berisha si realitet përmes përrallave me mbret nga ballkoni”, shtoi Kulluri.

Ai më tej thekson se interesi i përbashkët i këtij bashkimit lidhet ngushtësisht vetëm me zgjedhjet e vitit 2025, ku Bardhi pretendon të jetë në listat e deputetëve, ndërsa Berishës përmes Bardhit i duhet një shteg komunikimi me ndërkombëtarët

Një ditë më parë grupimi i “Rithemelimit” votoi disa ndryshime statutore të cilat futën në kryesinë e kësaj lëvizjeje politike edhe Gazment Bardhin, Agron Gjekmarkajn etj.

Këshilli Kombëtar miraton ndryshimet në statut, Bardhi e Gjekmarkaj nënkryetarë të Rithemelimit

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSekuestrohen 53 600 euro dhe 133 shishe me verë në Portin e Durrësit, 1 në pranga dhe 2 të proceduar
Artikulli tjetërKolegji Zgjedhor lë në fuqi gjobën 93 000 lekë ndaj kryebashkiakes Sako