Ballina Flash

Baste, drogë e armë, 6 të ndaluar në Tiranë dhe Shkodër

TIRANË, 21 shkurt/ ATSH/ Policia e Tiranës dhe ajo e Shkodrës kanë arrestuar disa persona në kuadër të luftës ndaj paligjshmërisë.

Policia e Tiranës ka njoftuar finalizimin e dy operacioneve policore, “Tempulli 2” dhe “Two”, ndërsa në Shkodër vijon operacioni policor “Sundimi i ligjit”.

Në kuadër të operacionit “Two”, Policia e Tiranës sqaron se ka goditur një rast të basteve të paligjshme, duke arrestuar shtetasit A. K., 26 vjeç, dhe F. K., 21 vjeç, banues në Tiranë.

“Gjatë kontrolleve të ushtruara në një lokal në Institut, u konstatuan këta shtetas, në celularët e të cilëve, shërbimet e Policisë gjetën faqe dhe linqe që shërbenin për vënien e basteve sportive. Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 3 celularë që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme”, njofton Policia.

Në kuadër të operacionit “Tempulli”, Policia e Tiranës ka arrestuar 1 shtetas i shpallur në kërkim, duke e çuar në 80 numrin e shtetasve të ndaluar në sajë të këtij operacioni. “Në afërsi të Bërrylit, u kap dhe u ndalua shtetasi R. I., 26 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve””, njofton Policia e Tiranës.

Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë sekuestruar 14 kg kanabis, 5.3 kg kokainë, 170 gramë heroinë, 11 peshore elektronike, 4 armë zjarri pistoleta, 1 armë zjarri automatik, 70 celularë, 11 automjete, 2 186 000 lekë, 11 610 euro dhe 630 paund.

Në Shkodër ka vijuar megaoperacioni policor i koduar “Sundimi i ligjit”, për goditjen e veprimtarive kriminale në çdo formë të shfaqjes së tyre.

Sipas njoftimit të Policisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe vunë në pranga një 17-vjeçar dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 16-vjeçar, pasi dyshohet se posedonin 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu, 23 fishekë luftarakë, 1 maskë dhe një sasi të vogël lënde narkotike cannabis sativa, të cilat u gjetën dhe u sekuestruan nga shërbimet e Policisë. Arma e zjarrit dhe sendet e tjera do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekspertizë të mëtejshme; këto shërbime arrestuan dhe shtetasin E. B., 42 vjeç, banues në Shkodër, pasi dyshohet se ka kanosur për gjakmarrje, një 57-vjeçar që rreth 10 vjet më parë ka qenë i përfshirë në një aksident rrugor me pasojë vdekjen e vëllait të shtetasit E. B.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër arrestuan shtetasin E. A., 37 vjeç, banues në Shkodër, pasi u kap në flagrancë, në lokalin e tij, në lagjen “Tre Heronjtë”, duke vënë baste sportive me celular. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak1 vit nga ikja e Mimika Lucës, ministri Gonxhja: Kujtimi i saj do të jetojë gjatë
Artikulli tjetërVILNIUS – Lituania ndërton një rrjet strehimoresh për 900 000 persona​