Ballina Aktualitet

“Tempulli 2”, shkon në 52 numri i të arrestuarve në Durrës

TIRANË, 13 shkurt/ATSH/ Policia e Durrësit njofton se në kuadër të operacionit “Tempulli 2”, është arrestuar një 29-vjeçar, i shpallur në kërkim, duke e çuar numrin të ndaluarve për shkak të këtij operacioni në 52 në qytetin bregdetar.

Sipas policisë, 29-vjeçari ishte i shpallur në kërkim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

“Si rezultat i veprimeve operacionale të kryera me intensitet nga Policia e Durrësit, në vijim të megaoperacionit “Tempulli 2”, si dhe i hetimeve të ndjekura me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit që prodhojnë dhe/ose shesin lëndë narkotike, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës ndaluan shtetasin Xh. H., 29 vjeç, banues në Durrës”, bën të ditur Policia e Durrësit.

“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2”, pasi nga hetimet dyshohet se është implikuar në veprimtaritë kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, vijon njoftimi.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKapen 2 500 euro të falsifikuara, 2 në pranga në Vlorë
Artikulli tjetërBalla përgëzon forcat RENEA për rezultatet