Ballina Ekonomi

Komisioni i Ekonomisë miraton marrëveshjen për programin e shkëmbimit të studimeve universitare “CEEPUS IV”

TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi  marrëveshjen në lidhje me programin e shkëmbimit të studimeve universitare në Evropën Qendrore “CEEPUS IV”.

Projektligji u prezantua nga zëvendësministre e Arsimit dhe Sportit, Albana Tole, e cila u ndal tek qëllimi dhe risitë, duke parashtruar se me anë të kësaj marrëveshjeje synohet nxitja e bashkëpunimit rajonal në fushën e arsimit të lartë brenda sistemit të programit të shkëmbimit të Evropës Qendrore për studimet universitare, i referuar si “CEEPUS IV”.

Tole detajoi se palët nënshkruese të CEEPUS-it bashkëpunojnë nëpërmjet rrjeteve universitare, me tematikë specifike të një cilësie të lartë, duke ofruar kuadrin e duhur për lëvizshmërinë e studentëve, studentëve të doktoratës, kërkuesve, personelit akademik dhe personelit universitar.

Deputetja Eslemvera Zake, në cilësinë e relatores vlerësoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe sqaroi se fal marrëveshjes, ofrohen grante të plota (bursat CEEPUS) për mbulimin e shpenzimeve për jetesën, tarifat laboratorike dhe siguracionin shëndetësor bazë për studentë dhe pedagogë në vendin pritës për periudhën e Mobilitetit, të cilat përshtaten me koston e jetesës së vendit pritës.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakOperacioni për kapjen e 46 kg tritol, Balla: Policia zbatoi standardet e verifikimit ndaj shtetasve të Kosovës
Artikulli tjetërSulmi kibernetik, Dhuli: Të dhënat e censit të paprekura, nuk ka informacione të humbura