Ballina Flash

Kumbaro: Ligatinat, habitate të rëndësishme për gjallesat e shpendët

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Dita Botërore e Ligatinave synon ndërgjegjësimin mbi rëndësinë që kanë ligatinat në ruajtjen e biodiversitetit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përmes një postimi në rrjetet sociale tha se, “2 shkurti i kushtohet Ligatinave, duke i dedikuar një ditë botërore që tregon se janë habitatet më të rëndësishme për gjallesat e shpendët, por edhe si thithëse të dioksidit të karbonit”.

Kumbaro publikoi pamje të mrekullueshme të ligatinave tona nga veriu në jug.

Agjencitë e Zonave të Mbrojtura në të gjithë vendin kanë ndërmarrë një sërë aktivitetesh, me fokus ndërgjegjësimin dhe njohjen e brezit të ri me ligatinat dhe rëndësinë e tyre për të ardhmen e njerëzimit.

Ligatinat janë një ekosistem mjaft i rëndësishëm që sigurojnë një larmi përfitimesh përfshirë filtrimin e ujit, sigurimin e biodiversitetit, mbrojtjen e bregdetit dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike.

E ardhmja e njerëzimit varet nga ligatinat, megjithatë, gjysma e ligatinave në botë janë zhdukur gjatë shekullit të fundit.

Shumë pak vetë e dinë se në 3% sipërfaqe ligatinore në bregdet, përmblidhen 75% e vlerave të biodiversitetit.

2 Shkurti i çdo viti është Dita Botërore e Ligatinave. Kjo ditë shënon datën e miratimit të Konventës për Ligatinat në 2 Shkurt 1971 në qytetin Iranian të Ramsar-it.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGJERMANI – Parlamenti miraton heqjen e përjashtimeve tatimore në taksën e naftës për fermerët
Artikulli tjetërERE gati metodologjinë mbi detyrimin që paguhet nga konsumatorët fundorë për energjinë e rinovueshme