TIRANË, 27 janar/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka reagoi sot pas vendimit të kryetarit të bashkisë Shkodër, Benet Beci për shkrirjen e disa institucioneve të varësisë në këtë bashki.
Açka reagoi veçanërisht për shkrirjen e Teatrit “Migjeni”, ndërsa theksoi se “kjo bëhet për ta lënë Shkodrën pa identitet”.
“Po me Teatrin “Migjeni” ç’patët? Si mund të quhet aktori, regjisori, kompozitori, skenografi, etj, punonjës mirëmbajtje bashkie? T’ia zhveshësh Shkodrës Teatrin Migjeni, do të thotë ta turpërosh. Të gjithën é bëni jo vetëm për të kontrolluar shqiptarët deri në qelizë, por edhe për ta lënë Shkodrën pa identitet. Që identiteti i saj të fillojë me ju! A ka shkodranë më Shkodra? A do ta pranoni ju këtë?”, u shpreh Açka.
Në vendimin e firmosur nga Beci urdhërohet shkrirja e institucioneve të varësisë së bashkisë Shkodër, konkretisht: Drejtoria e Shërbimeve Bujqësore dhe Pyjore; Teatri “Migjeni”; Drejtoria Ekonomike Arsimit; Drejtoria e Çerdheve dhe Kopshteve dhe Dega Ekonomike e Kulturës.
/m.m/














