TIRANË, 15 janar /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani nisi sot nga Kosova turin 3-ditor rajonal: Kosovë- Maqedoni i Veriut – Mal i Zi.
Në nisje të këtij turi 3-ditor, Hasani u prit nga homologia e Kosovës, Donika Gërvalla – Schwarc në pikën kufitare të Morinës
Më pas Hasani vizitoi kullën e heronjve “Gërvalla” në Dubovik të Deçanit.
“I nderuar që vizitën në Kosovë ta nis nga Duboviku i Deçanit, në kullën e heronjve “Gërvalla”, pak ditë nga 42- vjetori i vrasjes në një atentat nga kriminelët jugosllavë, i Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, të cilët dhanë jetën në emër të lirisë së Kosovës”, shkroi Hasani në një postim në rrjetet sociale.
Kosova do të jetë ndalesa e parë, ku ministri Hasani do të pritet nga homologia Donika Gërvalla, me të cilën do të ketë edhe një konferencë për shtyp, për të vijuar me presidenten Vjosa Osmani, kryetarin e Kuvendit Glauk Konjucfa, zv.kryeministrin Besnik Bislimi dhe përfaqësues të partive politike.
Të mërkurën, Hasani do të pritet në Shkup, nga ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, Kryeministri Dimitar Kovachevski, dhe zëvendëskryeministrat Artan Grubi dhe Bojan Marichic. Hasani do të zhvillojë takime edhe me liderët e partive politike shqiptare.
Në Mal të Zi, ditën e enjte, Ministri Hasani do të takohet në Podgoricë me homologun Filip Ivanoviċ, Presidentin Jakov Milatoviç, zv/kryeministrin, Nik Gjeloshaj dhe Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve dhe kryetarët e partive politike shqiptare të Malit të Zi.
Turi synon të bëjë më përmbajtësor, thellojë dhe konkretizojë më tej bashkëpunimin mes vendeve, si edhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të mira fqinjësore. Vizitat do të fokusohen në marrëdhëniet dypalëshe, çështjet e sigurisë dhe e ardhmja e rajonit në Bashkimin Evropian.






















