Ballina Ekonomi

DPSHTRR: 2.74 milionë mjete të huaja kanë hyrë në Shqipëri në 2023-shin

TIRANË, 4 janar /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor publikoi statistikat e qarkullimit rrugor, ndërsa vuri në dukje se kryefjala e vitit 2023, ka qenë rritja e ndjeshme e turizmit duke ndikuar padyshim në rritjen e numrit të mjeteve në lëvizje dhe trafikut rrugor.

Sipas të dhënave të publikuara nga DPSHTRR-ja, për vitin 2023 vihet re se, 2.74 milionë mjete të huaja kanë hyrë në territorin shqiptar, duke i shtuar trafikut rrugor në Shqipëri +30,034 mjete në ditë në qarkullim.

Flota aktive e mjeteve vendase dhe të huaja në total llogaritet në 897,833 mjete, ose 51% më shumë krahasuar me vitin 2018. Shkalla e motorizimit në Shqipëri është 314 mjete për 1,000 banorë ose 55% më shumë krahasuar me vitin 2018.

Gjithashtu është rritur numri i targimeve të reja me +78,157 mjete, +30% krahasuar me 2018 si dhe numri i kilometrave të përshkuara në vit u rrit 92% krahasuar me 2018.

Pavarësisht fluksit të shtuar në rrugët e Shqipërisë, në krahasim me vitin 2018: Numri i aksidenteve rrugore është ulur me -22.4%.

Sipas DPSHTRR-së, numri i viktimave nga aksidentet rrugore është ulur me 10.3% me ulje të indeksit të vdekshmërisë për 10,000 mjete me -41.7%.

Numri i qytetarëve të përfshirë në aksidente rrugore është ulur me -27.3%, me një ulje të indeksit të aksidenteve për 10,000 mjete me -48.5%.

DPSHTRR-ja bën të ditur se, rezultatet pozitive janë arritur falë punës, ndërsa numri i aksidenteve rrugore është ulur në sajë të nismave të ndërmarra për: Kulturë Trafiku, me aktivitete e programe edukative anembanë vendit; Kontroll rrugor më efikas dhe masa më të forta e transparente;Leje Drejtimi më të merituara;Mjete rrugore më të sigurta;Rrugë dhe sinjalistikë më e mirë.

DPSHTRR-ja ka si qëllim që viti 2024 të shënojë arritje të tjera pozitive përsa i përket zhvillimeve në qarkullimin rrugor, ndaj fokus i punës së saj është garantimi i mjeteve më të sigurta dhe për drejtues mjeti më të përgjegjshëm, për përmbushjen e këtij qëllimi me efekt afatgjatë.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPse fëmijët që rriten pranë zonave të gjelbra kanë kocka më të forta se ata në zonat urbane?
Artikulli tjetërPRISHTINE – Osmani – Cameron: Anëtarësimi i Kosovës në NATO, hap i domosdoshëm