TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja priti sot në takim ambasadorin e ri të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato.
Në takim u bisedua për sfidat dhe pritshmëritë e publikut nga drejtësia e re.
Gjithashtu, theksoi Manja, ambasadorin Gonzato u fol “mbi e hapat e ndërmarrë dhe ato që kemi në agjendë për luftën kundër korrupsionit”.
“Si përherë, në këto sfidat tonat, do të kërkojmë të mbështetemi nga ekspertiza më e mirë e BE-së”, theksoi Manja.
Manja dhe Gonzato takuan edhe skuadrën e zv/ministres Adea Pirdeni, të cilët punuan për kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat themelore”.
“Në përcjellje, një surprizë e këndshme qe takimi me skuadrën e mrekullueshme të Adeas, të gjithë kolegët e Ministrisë së Drejtësisë si institucion lider për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat themelore” pas përmbylljes së suksesshme të procesit të shqyrtimit analitik të legjislacionit me BE-në (screening)”, u shpreh ministri Manja në një postim në rrjetet sociale.
Ministri Manja shprehu mirënjohje dhe falënderime për të gjithë.
“Puna vazhdon me ritme dhe më të larta në 2024″, theksoi ai.
Ndërsa ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, u shpreh në një postim në rrjetet sociale se, “reforma ambicioze e sistemit të drejtësisë në Shqipëri tashmë po jep rezultate dhe gëzon besimin e publikut”.
“Në pritje për të punuar me Ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja për të konsoliduar këto arritje të rëndësishme”, theksoi ai.
“Gjithashtu pata rastin të përgëzoj zëvendësministren Adea Pirdeni dhe të gjithë ekipin e Ministrisë së Drejtësisë të përfshirë në procesin e shqyrtimit analitik të legjislacionit. Vazhdoni me punën e mirë”, theksoi Gonzato.
/r.e/













