Ballina Aktualitet

Autorizimi i SPAK nga Kuvendi për arrestimin e tij, Berisha: Vendim i paligjshëm

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha në një dalje për mediet ditën e sotme e cilësoi të paligjshëm vendimin e Këshillit të Mandateve që autorizon SPAK të ndryshojë masën e sigurisë ndaj tij në arrest me burg apo arrest shtëpie, në lidhje me hetimet për ish-kompleksin “Partizani”.

Berisha tha se në Komision, nuk u paraqit asnjë provë apo fakt kundër tij.

“Kishin vetëm një kërkesë, meqenëse nuk kam zbatuar vendimet antikushtetuese të tyre, të rëndohet ndëshkimi. Dhe natyrisht në një vend ku parlamenti, prokuroria dhe çdo gjë është në duart e një njeriu, ndodh”, tha Berisha.

“Unë nuk mund të pranoj të ligjshëm një vendim që merret mbi bazën e një vendimi të paligjshëm. Unë e denoncoj vendimin se është i paligjshëm. Vendimi i marrë pa shqyrtuar asnjë dokument, asnjë dosje, por thjesht për rëndim sepse unë kam refuzuar të pranoj dhunimin e Kushtetutës, kjo është marrëzia më e madhe. Natyrisht unë kam avoketërit, i dëgjoj sepse me votimin e parlamentit mbyllet një cikël i këtij procesi. Dhe unë në këshillim me avoketërit, do marr vendimet që duhet të marr”, tha Berisha.

Berisha po ashtu njoftoi se partia që drejton do të ngrejë padi penale ndaj SPAK për disa dosje, që ai i quajti amnisti ndaj Erion Veliajt dhe Ilir Beqajt.

“Kjo është hera e parë që një forcë politike ngre padi politike ndaj prokurorisë politike të Edi Ramës. I thotë mjaft është mjaft, ke tejkaluar çdo vijë të kuqe dhe tani për PD-në konsiderohesh një organizatë kriminale që merr pushtetin e parlamentit dhe amniston persona që kanë firmosur për 1 miliard euro, por që kanë zhdukur realisht 130 milionë euro nga paratë e taksapaguesve”, tha Berisha.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakINSTAT: Numri i vizitorëve rritje me 41.4% në tetor
Artikulli tjetërKPK konfirmon në detyrë prokurorin e Fierit, Andi Pogaçe