Ballina Bota

MJEDIS – BE vendos kufijtë e rinj të emetimeve për automjetet

BRUKSEL, 18 dhjetor /ATSH-DPA/ – Negociatorët nga Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare të BE-së ranë dakord për kufijtë e rinj të emetimeve për makinat, autobusët dhe automjetet e tjera, të quajtura “standard Euro 7”.

Rregulloret e reja gjithashtu vendosin për herë të parë vlerat kufi për frenimin dhe gërryerjen e gomave.

Rishikimi i kufijve ekzistues bazohet në një propozim të Komisionit Evropian për të reduktuar substancat e dëmshme për mjedisin dhe shëndetin që emetohen nga automjetet.

Megjithatë, kufijtë e rinj të rënë dakord janë më pak ambicioz sesa propozimi fillestar i Komisionit.

Për herë të parë, “Standardet Euro” të Bashkimit Evropian për emetimet e automjeteve do të mbulojnë jo vetëm gazrat e shkarkimit, si oksidet e azotit (NOx), por edhe ndotësit e tjerë të trafikut, si grimcat ultra të imta të shkaktuara nga konsumimi i gomave ose frenave.

Kjo do të thotë se edhe automjetet elektrike dhe ato me hidrogjen do t’i nënshtrohen standardeve Euro 7.

Shtetet e BE-së dhe Parlamenti Evropian ende nuk e kanë miratuar zyrtarisht marrëveshjen, e cila konsiderohet një formalitet. /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Guri i Kamjes, një prej destinacioneve turistike malore më të veçanta të Pogradecit
Artikulli tjetërKIEV – Zelensky: Asetet e ngrira ruse të përdoren për të ndihmuar Ukrainën