TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ Lëvizja Diaspora për Shqipërinë e Lirë, mbështetur nga një grup deputetësh, dorëzoi sot në Kuvend draftin për votën e emigrantëve.
Në një deklaratë për shtyp Lëvizja Diaspora për Shqipërinë e Lirë thekson se, ia ka prezantuar publikut më datë 8 shtator të këtij viti draftin e përpiluar nga ajo me ndryshimet e sugjeruara të Kodit Zgjedhor për të përmbushur boshllëkun ligjor të konstatuar nga Gjykata Kushtetuese për Votën e Diasporës.
“Pas një periudhe diskutimi me aktorët e përfshirë në proces, lëvizja e dorëzoi këtë draft më datë 10 tetor pranë Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe për dijeninë e të gjitha palëve politike duke e protokolluar me Nr. 3060”, thuhet në deklaratë.
“Sot Diaspora për Shqipërinë e Lirë e fut këtë draft në procesin legjislativ! Me mbështetjen e një grupi deputetësh propozues, ajo i propozon Kuvendit të Shqipërisë nisjen e procedurave parlamentare për shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji”, vijon deklarata.
Deputetët propozues janë: Fatmir Mediu, Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj, Agron Duka, Jorida Tabaku, Emilia Koliqi dhe Dhurata Çupi Tyli.
Duke falënderuar deputetët propozues, Lëvizja Diaspora për Shqipërinë e Lirë i bën thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë “të mbështesin këtë projektligj të ardhur nga përfaqësues të Diasporës, të mos shikojnë interesat e ngushta politike të momentit, por të bashkohen për t’i mundësuar të gjithë shqiptarëve kudo që janë të drejtën e votës dhe mundësinë e përfaqësimit politik si dhe atë të ndikimit në qeverisjen e vendit siç ndodh në çdo vend demokratik”.

/r.e/













