Ballina Aktualitet

Çuçi: Buxheti u miratua pas diskutimeve të gjata në komisione

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, deklaroi sot se buxheti i vitit 2024 është miratuar pas një diskutimi të gjatë në komisione.

Në një komunikim për median pas seancës plenare Çuçi u shpreh se, “revolucioni i karrigeve pati seancën e radhës”.

“Buxheti nuk është miratuar në 8 minuta, por pas një diskutimi shumë të gjatë në komisione. Komisionet janë të hapura dhe janë konsultuar me grupet e interesit. Pa diskutim ka një anomali e ardhur nga opozita”, tha ai.

I pyetur nëse do të ulet në dialog mazhoranca me opozitën, Çuçi tha se, “ne kemi propozuar disa ndryshime në rregullore dhe kemi marrë në shqyrtim disa rregullore parlamentare të vendeve të BE-së, Italia dhe Gjermania”.

“Opozita është e mirëseardhur. Kemi shumë forume ku jemi bashkë. Ne kemi komisione, sekretariate, kemi konferencë kryetarësh. Ata nuk vijnë. Ne jemi gati të dialogojmë me këto për të mirë të shqiptarëve. Jemi atje, kur të duan mund të ulemi. Nuk jemi ne që hedhim flakadanë”, u shpreh Çuçi.

Sa i përket Kongresit të PS, Çuçi deklaroi se nesër do të diskutohet mbi një sërë temash.

Çuçi tha se do të reflektohet mbi gjërat që duhet të bëhen më mirë si dhe për projektin e Shqipërisë së 2030-ës.

Ai u shpreh se Kongresi është i jashtëzakonshëm, sepse nuk është as zgjedhor dhe as sipas rutinës.

Sa i përket kërkesës së Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti që të zgjidhë brenda këtij viti çështjen e votës së emigrantëve, Çuçi tha se, “besoj do e kemi një zgjidhje siç e kemi gjetur gjithmonë. Po pyet njeriun që ka bërë më shumë se asnjë në lidhje me votën e emigrantëve bashkë me Oerd Bylykbashin”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Republika e Rakisë”, Tirana nismë për promovimin e pijes tipike shqiptare
Artikulli tjetërIdentifikimi i mjeteve motorike të vjedhura ose të manipuluara, EU4LEA mbështetje DPSHTRR-së