Ballina Ekonomi

Buxheti 2024, mbështetje për mbi 8 mijë gra kryefamiljare

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Qeveria shqiptare do të vijojë mbështetjen për gratë kryefamiljare edhe me buxhetin e vitit 2024.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në një postim në rrjetet sociale bënë të ditur se “mbi 8,000 gra kryefamiljare me tre ose më shumë fëmijë të moshës deri në 18 vjeç do të përfitojnë nga programet e mbrojtjes sociale edhe me buxhetin e vitit 2024”.

Gratë e papuna, me tre apo më shumë fëmijë të moshës deri në 18 vjeç, ku njeri prej fëmijëve është nën moshën 5 vjeç dhe familja ka të ardhura nën 100 mijë lekë bruto në muaj, të cilat janë kategori ekonomikisht joaktive, do të mbulohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm shoqëror dhe shëndetësor dhe pagesa e kontributeve të tyre financohet nga buxheti i shtetit, për periudhën e kujdesit ndaj fëmijës deri në moshën 5-vjeçare.

Aplikimi dhe verifikimi për përfshirje në programin e veçantë të subvencionit nga shteti për pagesat e sigurimit të detyrueshëm shoqëror dhe shëndetësor bëhet në mënyrë elektronike, përmes shërbimit elektronik qeveritar e-Albania.

Lista e përfituesve do të gjenerohet nëpërmjet Regjistrit Kombëtar Elektronik të Ndihmës Ekonomike në nivelin qendror të Shërbimit Social Shtetëror.

Paketa e Mbrojtjes Sociale 2024 parashikon gjithashtu skemën për mbështetjen e 161,000 personave me aftësi të kufizuar dhe kujdestarëve të tyre, të cilët do të përfitojnë pagesa nga fondi prej 17.9 miliardë lekë.

Po ashtu, përfitues nga skema do të jenë edhe 64 mijë familje ose individë me probleme ekonomike. Bonusi i bebes do të vijojë të zbatohet edhe në 2024 me një fond prej 2.2 miliardë lekë

/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShqipëri-Mali i Zi, projekte të përbashkëta në energji, transport e turizëm
Artikulli tjetërKurti: Të paharruara e të pafalshme janë krimet e Serbisë në Kosovë