TIRANË, 10 nëntor /ATSH/ Komisioni për Çështjet Europiane i ktheu punimet online, pasi deputetë të opozitës bllokuan mbledhjen në kryesinë e Kuvendit.
Në mbledhjen e sotme ishte e pranishme ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja për Integrimin në Bashkimin Europian, Majlinda Dhuka, e cila duhet të raportonte për projektbxhetin 2024 për integrimin europian.
Por, ajo nuk është lejuar të vijojë prezantimin e saj nga deputetët e opozitës, të cilët kanë vijuar bllokimin e mbledhjeve të Komisioneve.
Deputetët e PD-së Oerd Bylykbashi, Saimir Korreshi dhe Lefter Gështenja kanë kërkuar që komisioni të mbyllet, duke mos lejuar që mbledhja të vazhdojë.
Mediet raportuan se jashtë mbledhjes ka pasur edhe një përplasje mes dy deputetëve të opozitës, Dashnor Sulës dhe Kreshnik Çollakut.
Së fundmi, deputetë të opozitës kanë bllokuar disa herë punimet e Kuvendit dhe komisioneve parlamentare duke deklaruar se nuk do lejojnë punime normale deri sa t’u plotësohet siç shprehen ata, respektimi i të drejtave kushtetuese si ligjvënës.
Për këtë arsye nënkryetarja e Komisionit, Etilda Gjonaj ka mbyllur mbledhjen, duke e kaluar atë online, ku ministrja Dhuka vijoi prezantimin.
Në rendin e ditës së Komisionit për Çështjet Europiane është miratimi i procesverbalit të mbledhjes së Komisionit datë 31 tetor 2023.
Miratimi i Kalendarit të Komisionit për shqyrtimin e paketës fiskale dhe të projektligjit “Për Buxhetin e vitit 2024”.
Shqyrtimi në parim i projektligjit “Për Buxhetin e vitit 2024”.
/r.e/























