Ballina Flash

Çuçi: Sjellja e opozitës demagogji, nuk diskuton as nismat e veta

TIRANË, 9 nëntor /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi në një prononcim për mediet, komentoi kaosin e shkaktuar sot në seancën plenare të Kuvendit nga opozita, teksa theksoi se “një sjellje e tillë është demagogji pasi ndodh edhe kur në seancë po diskutohen ndryshime ligjore të propozuara nga vetë deputetët e opozitës”.

“Asgjë e re nga fronti i non gratave. E vetmja e re sot ishte se u vërtetua se e gjithë përpjekja e opozitës gjoja mungesë dhe rivendosjen e hapësirave kushtetuese është demagogji. Sjellja e opozitës është demagogji sepse sot praktikisht kishim për shqyrtim 6 nga nismat ligjore që ka ndërmarrë opozita. Ju e patë që edhe për shqyrtimin e nismave të tyre, ata përsëritën skemat e tyre. Qëllimi i propozimeve të projektligjeve është diskutimi, jo miratimi, nuk do dalim kundër Kushtetutës”, tha Çuçi.

Ai shtoi se mazhoranca nuk është e detyruar që të miratojë çdo projektligj të opozitës, por t’i diskutojë. “Ne japim arsyet tona pse nuk duhen miratuar, ata japin arsyet e tyre, vijoi ai.

Çuçi deklaroi në “ne nuk kemi thënë në asnjë moment që opozita nuk e ka këtë të drejtë për ngritjen e komisioneve hetimore”.

“Ne japim arsyet tona pse nuk duhet të miratohen. E kemi thënë që është e drejtë kushtetuese që ata të ngrenë komisione hetimore. E vetmja gjë është që ka të bëjë me objektet. Po të jetë brenda kërkesave që ka Kushtetuta, pa diskutim”, u shpreh Çuçi.

Sipas tij, tubimet vetëm njoftohen edhe sot, por njoftimi dhe tubimi duhet bërë sipas kërkesave, duhet të ketë një organizator, numrin e folësve, etj. Në lidhje me ndryshimet e Kodit Penal si nisma ligjvënëse nga opozita që kishin paraqitur disa nga kolegët, ka momente që janë qëndrime parimore që nuk jemi dakord dhe ka momente që lidhen me procesin e një kodi tërësor të ri penal. Ministria e Drejtësisë është drejt përfundimit të draftit të ri të kodit të ri penal.

“Tymueset, mjetet piroteknike, nuk janë skenar i mazhorancës, por i opozitës. Debati parlamentar nuk është vetëm seancë plenare, është më i gjerë në komisionet parlamentare. Nuk është skenari jonë ky. Skenari jonë është të miratojmë ligjet. Nuk jemi ne padronët e opozitës”, u shpreh Çuçi.

“Mazhoranca do të vazhdojë të miratojë ligjet. Debati parlamentar nuk janë vetëm seanca parlamentare”, shtoi ai.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTabaku: Secili ka të drejtën e vet si e shpreh revoltën
Artikulli tjetërFestivali Ndërkombëtar i Klarinetës çelet nga klarinetisti me famë ndërkombëtare, Genti Dollani