TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku tha sot se nismat e opozitës u rrëzuan thjesht për faktin se u propozuan nga opozita.
Në një prononcim për mediet, Tabaku theksoi se “iniciativat që unë kam prezantuar, që kam mbrojtur për një vit për luftën kundër korrupsionit dhe që janë në përputhje me standardet e BE-së, si mundet që kontratat koncesionare t’i kontrollojmë më mirë, të mos kemi fonde ofshore, të mos kemi probleme që ndodhën me inceneratorët janë shumë të mira, por ne nuk i votojmë se i ka propozuar opozita”.
“Opozita kaq hapësirë parlamentare ka, të propozojë ligje, t’i mbrojë në komisione, t’i diskutojë në seancë, por në momentin kur puna njëvjeçare mbas komisionit hetimor përfundon me forcën e kartonave ku rrëzohet çdo iniciativë, qoftë edhe ajo e mirë, besoj se ndodhemi në limitet e hapësirës parlamentare”, nënvizoi Tabaku.
E pyetur lidhur me mënyrën si po reagon opozita në Parlament dhe a e mbështet ajo këtë rrugë, Tabaku u shpreh se kjo është një mënyrë për të shprehur revoltën.
“Besoj se progresraporti na dha të drejtë që shqetësimi për komisionet hetimore është e drejtë e opozitës, secili ka të drejtën e vet si e shpreh revoltën, grupi parlamentar ka menduar kështu”, u shpreh Tabaku.
Tabaku u shpreh se “këto ishin shqetësimet e ngritura edhe nga progresraporti i KE hapësira që ka opozita për të ushtruar kontroll mbi qeverinë, hapësira për komisione hetimore dhe hapësira që ne kemi për të kërkuar llogari se çfarë po ndodh sot me financat publike në një anë, por edhe me vendimmarrjen për korrupsionin nga ana tjetër”.
“Më 8 dhjetor të vitit të shkuar, kam propozuar edhe ligjin për komisionet hetimore dhe ka një vit që fle në sirtar dhe thonë që duhet të miratojmë një ligj të ri që të hapim komisionet hetimore, ndërkohë që nuk kanë marrë asnjë për ta miratuar ligjin e ri”, tha Tabaku.
Ndërsa kryetari Komisionit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha theksoi se “kur shkelet Kushtetuta, nuk ka parlament. Që një parlament të funksionojë duhet të zbatohen rregullat kushtetuese. Parlamenti funksionon mbi bazën e pluralitetit, mbi të drejtat kushtetuese”.
“Kushtetuta ka sanksionuar të drejta për deputetët. Ato të drejta nuk i ka sanksionuar për personin, por për popullin opozitar, që përfaqësohen nga opozita. Kjo tregon se parlamenti funksionon njëlloj si në diktaturë, si në Korenë e Veriut dhe jashtë çdo lloj standardi. Ne do luftojnë në parlament deri në rikthimin e të drejtave tona. Gjersa të krijohen komisionet parlamentare, derisa Rama, të paraqitet.Ka Kushtetutë para ligjeve, Kushtetuta është ligji suprem i një vendi”, tha Berisha.
Deputetët e opozitës kanë bllokuar sërish sot punimet normale të seancës plenare të Kuvendit. Pasi bllokuan foltoren duke kthyer përmbys karriget, deputetët kanë ndezur disa tymuese gjatë zhvillimit të seancës së sotme plenare. Ndërkohë që deputetët e mazhorancës miratuan vetëm një projektligj, ndërsa projektligjet e tjera, nisma të opozitës nuk u miratuan.
/k.s/r.e/






















