TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Në galerinë FAB është e hapur për publikun ekspozita e re e piktorit Helidon Haliti. E titulluar “Faksimile”, ekspozita është një dëshirë e hershme e piktorit për ta çelur në bashkëpunim me të atin, poetin Faslli Haliti. Megjithëse poeti u nda nga jeta 3 vjet më parë, ekspozita vjen si dëshmi se në pikturat e të birit, gjen pjesë nga lirikat e poezisë së tij, nga shqetësimet e tij sociale dhe altruizmi i padiskutueshëm i tij si njeri.
“Ekspozita është e përbërë prej copëzash kujtimesh, të cilat unë i quaj “Faksimile”. Janë copëza poezish, figurash, edhe figura të plota, pse jo, copëza shqetësimesh sociale dhe zhvillimesh që kanë ndodhur pas ndarjes nga jeta të babait tim për shkak të Covid19”, shprehet Helidon Haliti.
Kjo ekspozitë vjen si një plotësim i filozofisë se arti shtegton edhe pa krijuesin, për të thënë se shpirti nuk humbet asnjëherë dhe se komunikimi atë-bir vijon ende përmes ëndërrash e vargjesh poetike.
Ekspozita përmban rreth 40 punime në pikturë, kryesisht kompozim, por të shoqëruara me një peizazh onirik, ku janë të pranishme edhe vitet e fëmijërisë, tingujt e së kaluarës, të ndërthurura fort edhe nga e tashmja.
Në tre sallat e ekspozitës publiku do të shohë një mini muze, ku dimensioni do të jetë i larmishëm, shqetësimet do të shfaqen lakuriq, siç janë, përpara tij, por pa u konkretizuar në një portret të caktuar. Ekspozita është konceptuar si një lloj instalacioni, i cili e ka nisur rrugëtimin e tij para 4 vitesh, dhe sot është i gatshëm për t’u përballur dhe bashkëbiseduar me publikun, për të kuptuar se shpirti vijon.
/r.e/






















