Ballina Aktualitet

Dosja “Partizani”, GJKKO rrëzon 2 kërkesat e Berishës

TIRANË, 8 nëntor/ATSH/ Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka rrëzuar 2 kërkesat e depozituara nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Fillimisht Berisha, përmes avokatëve të tij, kërkoi përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Ndërsa më tej, GJKKO rrëzoi dhe kërkesën e dytë e Berishës për shuarjen e masës së sigurisë ndaj tij “Detyrim Paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë shtetit”.

Gjatë seancës gjyqësore avokatët e Berishës, Sokol Mëngjesi dhe Genc Gjokutaj u shprehën se gjyqtarja Irena Gjoka duhet përjashtuar nga ky proces gjyqësor. Sipas avokatëve mbrojtës të Berishës, Gjoka nuk ka zbardhur vendimin me të cilën është vulosur masa e sigurisë ndaj Berishës dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, si dhe ka konflikt interesi pasi është shkarkuar nga Berisha në 1996, kur ka qenë kryetar i KLD-së.

Të njëjtat kërkesa ishin kërkuar dhe nga Jamarbër Malltezi, i cili është nën masën e sigurisë “Arrest me burg”. Edhe për Malltezin GJKKO rrëzoi pretendimet për një masë më të lehtë sigurie dhe gjithashtu përjashtimin e gjyqtares. Në dosjen hetimore të SPAK, ku po shqyrtohet procedura e privatizimit të ish-klubit shumësportësh “Partizani” është nën hetim edhe ndërtuesi Fatmir Bekteshi, i cili është nën masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”.

Në dalje nga GJKKO, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj u shpreh se ka shkelje.

“Vendimi i zbardhur na u dha sot. Vendimet janë të padepozituara në sekretarinë e gjykatës. Ne e konsiderojmë të paekzekutuar atë vendim, sepse këta po i qëndrojnë shkeljes. Të dyja kërkesat janë rrëzuar, edhe ajo për Jamarbrin”, tha Gjokutaj.

Sali Berisha është person nën hetim në dosjen “Partizani” për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 dhe 25 i K. Penal”. Për Sali Berishën është vendosur masa e sigurisë detyrim paraqitje, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi është arrestuar për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”. Masa e sigurisë detyrim paraqitje i është dhënë edhe ndërtuesit Fatmir Bektashi.

Në vijim të hetimit, SPAK më herët ka bërë të ditur se është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova se, nga shtetasi Sali Berisha është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin Jarmarbër Malltezi.

Sipas SPAK, shtetasi Malltezi dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin Fatmir Bekteshi ka konsumuar veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga Kodi Penal, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe marrë përfitimin monetar në shumën 672 976 832 lekë ose 5 420 345 euro, (përfitim i paligjshëm) duke e paraqitur si e ardhur e ligjshme e siguruar nga investimi në veprimtarinë ekonomike.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBuxheti 2024, Manastirliu: Buxheti i rritjes së pagave, cilësisë dhe gjithëpërfshirjes në arsim
Artikulli tjetërProvohet një mënyrë tjetër se si pirja e duhanit shkakton kancer