TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Moti i keq me erëra të forta dhe reshje shiu ka përfshirë të gjithë territorin e bashkisë Shkodër.
Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci bëri të ditur se gjatë paradites, si pasojë e erërave të forta janë regjistruar rënie të pemëve në disa zona të qytetit, ku janë shkaktuar dëme materiale.
Sipas Becit, në njësinë administrative Shalë, është bllokuar aksi rrugorë Ndërlysaj – Theth si pasojë e rrëshqitjeve të gurëve dhe dherave.
“Po punojmë për të hapur rrugën sa më shpejt të jetë e mundur dhe për të siguruar sigurinë e udhëtarëve. Ekipet e bashkisë Shkodër janë në terren për të menaxhuar situatat që mund të krijohen gjatë orëve në vijim”, theksoi Beci.
Kryebashkiaku Beci i bëri apel banorëve të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat me rrezik, ndërkohë që për çdo problematikë të kontaktojnë me bashkinë Shkodër.























