PARIS, 3 nëntor /ATSH-AFP/ – Numri i të vdekurve nga stuhia ”Ciaran” që goditi Evropën u rrit sot në 13, përfshirë një fëmijë pesëvjeçar ukrainas në Belgjikë, dhe shkaktoi ndërprerje të konsiderueshme, me porte të mbyllura dhe fluturime të anuluara.
”Stuhia, e cila u zhvendos në lindje pasi goditi bregun e Atlantikut, vrau gjashtë persona në Toskanë, ku shkaktoi reshje rekord”, njoftuan autoritetet lokale.
”Ajo që ndodhi mbrëmë në Toskanë ka një emër, ndryshime klimatike”, tha guvernatori i Toskanës, Eugenio Giani, i cili shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.
Qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Toskanë, një procedurë klasike në Itali në rast të një fatkeqësie natyrore që lejon dislokimin e burimeve të jashtëzakonshme financiare dhe materiale.
”Ndihma fillestare shtetërore prej pesë milionë eurosh është miratuar nga Këshilli i Ministrave”, bëri të ditur kreu i ekzekutivit Giorgia Meloni gjatë një konference për shtyp.
”Në Firence, situata është kritike”, paralajmëroi kryebashkiaku Dario Nardella në X gjatë natës nga e enjtja në të premte.
Lumi Arno duhet të përjetojë kulmin e përmbytjes sot pasdite.
Rënia e pemëve të shkaktuara nga fryrjet e forta të erës janë shkaku i shumicës së këtyre aksidenteve fatale: dy viktima në Belgjikë, dy në Francë, një në qendër të Madridit, një në Gjermani dhe një e shtatë në Holandë.
”Në qytetin flamand të Gentit, një fëmijë ukrainas, i cili po luante jashtë, u plagos nga rënia e degëve dhe vdiq në spital disa orë më vonë”, sipas zyrës së prokurorit publik.
Në një incident të veçantë, një grua 64-vjeçare, e ardhur nga Gjermania, u vra gjithashtu në një park të qytetit. Vajza e saj 31-vjeçare ka mbetur e plagosur rëndë.
Stuhia ”Ciaran” ndërpreu rëndë trafikun hekurudhor në Belgjikë, kryesisht në Flandër.
– Ngjarjet ekstreme të motit –
Stuhia çoi gjithashtu në ndërprerjen e trafikut hekurudhor të enjten midis qyteteve spanjolle Ourense dhe Vigo ose midis A Coruna dhe Ferrol, në Galici, si dhe në linja të tjera të vogla në rajonet e Cantabria, Asturias ose Bask.
”Portugalia nuk do të ndikohet drejtpërdrejt nga stuhia ‘Ciaran”, tha instituti kombëtar meteorologjik, i cili megjithatë vendosi rajonet bregdetare të qendrës dhe veriut të vendit nën alarm të kuq të enjten.
Ngjarjet ekstreme të motit si ciklonet, valët e të nxehtit, përmbytjet apo thatësirat janë dukuri natyrore.
Por, ngrohja globale e shkaktuar nga emetimet e gazeve serrë të krijuara nga aktiviteti njerëzor mund t’i përforcojë ato./ a.jor.




















