PEKIN, 24 tetor /ATSH-DPA/ – Kina ka bërë thirrje për bisedime paqeje, pikërisht në mes të konfliktit midis Izraelit dhe organizatës islamike palestineze, Hamas.
“Përshkallëzimi i situatës duhet të parandalohet, pasi mund të çojë në një katastrofë humanitare edhe më të madhe”, tha ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi në një bisedë telefonike me homologun e tij izraelit, Eli Cohen.
Wang tha se Kina është e shqetësuar për përshkallëzimin e vazhdueshëm të konfliktit dhe e prekur nga numri i madh i viktimave civile.
“Të gjitha vendet kanë të drejtën e vetëmbrojtjes, por duhet të respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar dhe të mbrojnë sigurinë e popullatës civile”, tha ministri kinez.
“Militantët e armatosur të Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor, duke vrarë më shumë se 1 400 persona, kryesisht civilë në zonën kufitare dhe duke marrë peng të paktën 222 të tjerë”, sipas ushtrisë izraelite.//a.i/























