TIRANË, 21 tetor/ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Urban, Anila Denaj deklaroi sot se një nga objektivat e qeverisë është edhe transformimi i peshkimit në një atraksion turistik.
Denaj u ndal sot në fshatin Lin në Pogradec, ku u takua me peshkatarë të zonës dhe përfaqësues të Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit.
Ministrja Denaj i informoi se do të trefishohet sasia e rasatit të peshkut që do të hidhet këtë vit në liqenin e Ohrit.
Sipas saj, transformimi i peshkimit në atraksion turistik, pritet të sjellë më shumë rritje ekonomike.
“Në takim me peshkatarët e zonës dhe Organizatën e Menaxhimit të Peshkimit të Pogradecit, folëm për ripopullimin e liqenit me trefishim të rasateve të peshkut dhe transformimin e peshkimit në atraksion turistik, për të sjellë më shumë rritje ekonomike”, u shpreh Denaj.
Fshati Lin, është një gadishull i vogël, i cili ndodhet në brigjet perëndimore të Liqenit të Ohrit, 20 km larg qytetit të Pogradecit.
Lini është përfshirë në listën e zonave të mbrojtura nga UNESCO.
Veç fondit nga Skema Kombëtare e Mbështetjes për rinovimin e anijeve, peshkatarët kanë përfituar edhe mbështetje për naftën.













