TIRANË, 17 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria dëshiron të jetë në Ballkan, referenca europiane e këtij komuniteti dhe do të vazhdojë të investohet për të mishëruar Europën.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili nisi dje një vizitë zyrtare dyditore në vendin tonë, Rama tha se procesi i integrimit nuk është një proces që ne të ikim diku, por që Europa të vijë këtu, që qytetarët të jetojnë këtu me standardet dhe parimet e një vendi europian.
“Dua ta përsëris para Presidentit se ne duhet të përpiqemi të mos jemi një ndër 6 pjesët e Ballkanit, që është europiane kur flet me Europën dhe ribëhet ballkanike kur flet me 5 pjesët e tjera. Ne duam të jemi këtu në Ballkan referenca europiane e këtij komuniteti ballkanik dhe do të vazhdojmë të investohemi për t’a mishëruar Europën. Se në fund fare procesi i integrimit, zgjerimit e ribashkimit janë procese që kanë vlerë për sa kohë transformojnë vetveten”, deklaroi Rama.
Sipas kryeministrit, ky proces nuk është që ne të ikim diku, por që Europa të vijë këtu, që qytetarët të jetojnë këtu, me standardet dhe parimet e një vendi europian.
“Jam shumë i lumtur, krenarë për Shqipërinë që arriti të ishte gati për të mikpritur Francën se mund të mikpresës shumë francezë, por Francën e mikpret vetëm kur i pari i vendit troket në derë. Kjo është specifika e Francës. Dhe që Presidenti i Francës të vijë në Shqipëri nuk është diçka e lehtë dhe nuk ka qenë e lehtë. Ndaj unë jam shumë i lumtur se prania e Presidentit konfirmon besimin se rruga europiane e Shqipërisë dhe rritja e Shqipërisë me ambicien për t’u bërë Europa e Ballkanit është e pakthyeshmne”, shtoi Rama.
Ai e siguroi Presidentin francez se Shqipëria do të bëjë çmos që t’ia dalë që çdo vit e më shumë të jetë Europa e Ballkanit.
“E di që nuk është një sfidë e lehtë dhe se kemi akoma për të bërë”, tha Rama.
Duke ardhur këtu, iu drejtua Rama presidentit Macron, motivoni shumë fëmijë për t’u ngjarë, sepse ju shikojnë nga afër.
“Ju motivoni Shqipërinë dhe shqiptarët për të vazhduar më shumë përpjekjet për t’i ngjarë Francës, jo duke i imituar por duke i brendësuar. Sepse, ne nuk mund të jemi kurrë Franca dhe s’kemi pse jemi Franca, por ne mund të jemi një vlerë e shtuar e Europës dhe një mik besnik i Francës, ku Franca të shohë një aleat që në përmasën e vet modeste i vlen në ditë të vështira. Dhe një mik që i vlen gjithmonë, kur Franca ka nevojë për të qeshur pak më shumë. Se në fund fare, procesi i integrimit është procesi më i mërzitshëm në botë. Dhe ne nuk e kemi luksin që duke plotësuar këtë proces të mërzitshëm të bëhemi të mërzitshëm dhe vet. Ne duhet të arrijmë të bëjmë procesin e mërzitshëm të tillë që standardet, parimet dhe e gjithë bashkëjetesa e mërzitshme brenda ligjit, të mos na humbasë asnjëherë dëshirën për të qeshur dhe për të bërë të tjerët të qeshin. Një Shqipëri e mërzitshme do të ishte jo atraktive, sado shumë të sundonte ligji. Sundimi i ligjit dhe i dëshirës për të jetuar këtë jetë me buzëqeshje duam të jenë bashkë“, u shpreh kryeministri Rama.
/r.e/






















