Ballina Aktualitet

Rama: Bashkëpunim model me Francën kundër emigracionit të paligjshëm

TIRANË, 17 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se bashkëpunimi me Francën në nivelin e sigurisë dhe kundër emigracionit të paligjshëm është kthyer në model edhe për vendet e tjera.

Në konferencën e përbashkët për shtyp në Tiranë me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, Kryeministri Rama u shpreh se deri para disa vitesh Shqipëria bënte lajm në Europë dhe Francë përgjithësisht vetëm për arsye të gabuara.

“Sot fakti se 80 mijë francezë vijnë në Shqipëri për pushime është një lajm për arsyet më të mira. Për këtë falënderoj zemërgjerësisht Presidentin dhe qeverinë franceze që janë treguar të durueshëm në procesin e vështirë që ne kemi bërë së brendshmi kundër kriminalitetit dhe emigracionit të paligjshëm”, tha Rama.

Ai theksoi se Franca ka qenë vijimësisht e gatshme të bashkëpunojnë me ne në këtë drejtim.

“Bashkëpunimi në nivelin e sigurisë dhe kundër emigracionit të paligjshëm është kthyer në model edhe për të tjerët. Edhe në Granada ku kemi qenë së bashku, ky model ka shërbyer për të shpjeguar se si mund të thellohet dhe të bëhet më rezultative lufta e të gjithëve kundër emigracionit të paligjshëm, duke bashkuar forcat dhe duke luftuar kundër tij në burim. Kjo ka kërkuar durim por është zhvilluar edhe në një presion politik e mediatik të brendshëm që nuk ka qenë mbështetës për zhvillimin e kësaj marrëdhënie bilaterale”, tha Rama.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“The Dawn of Time”, baleti që përmbyll Festivalin Ndërkombëtar të Kërcimit Bashkëkohor
Artikulli tjetërRama: Shqipëria, referencë europiane në Ballkan