Ballina Ekonomi

Rihapet gara për kreun e AMF-së

TIRANË, 11 tetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave rihapi garën për përzgjedhjen e kandidatit për anëtar të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që do të mbajë funksionin e drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv, pas emërimit nga Kuvendi.

Gara u hap fillimisht më 20 shtator dhe afati për dorëzimin e aplikimeve ishte 29 shtatori.

Në njoftim përcaktohen dhe kriteret që duhet të përmbushin aplikantët.

Aplikanti duhet të jetë shtetas shqiptar; të ketë përfunduar studimet universitare në një nga këto fusha: ekonomi, juridik ose të lidhur me shkencën e aktuarëve; të ketë përvojë profesionale të paktën 7-vjeçare, nga e cila, të paktën, 5 vjet në njërën nga këto fusha ose në disa prej tyre të marra së bashku: financë-kontabilitet; administrim i shoqërive tregtare; këshillim ligjor i shoqërive tregtare; hartim legjislacioni; shkencë e aktuarëve; sigurime shoqërore dhe pensione.

Nuk mund të jetë anëtar i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare personi, i cili: në tri vitet e fundit ka qenë ortak, aksionar apo anëtar i organeve drejtuese të subjekteve të mbikëqyrura; ka lidhje familjare me ndonjë subjekt që është ortak, aksionar apo anëtar i organeve drejtuese të subjekteve të mbikëqyrura; në tri vitet e fundit ka qenë punonjës me kohë të pjesshme apo të plotë në subjektet e mbikëqyrura.

Afati i dorëzimit të aplikimit, është deri më 23 tetor 2023.

Më herët këtë post e mbante Ervin Mete, i cili u emërua ministër i Financave dhe Ekonomisë.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShqipëria në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në OKB, Rama: Tjetër rol ndërkombëtar
Artikulli tjetërGjermania uron Shqipërinë për zgjedhjen në Këshillin e OKB për të Drejtat e Njeriut