TIRANE, 9 tetor/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në kuadër të vizitës së tij në Zagreb, zhvilloi një takim në Prokurorinë e Përgjithshme të Kroacisë.
Manja bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua mbi thellimin e bashkëpunimit dhe ndarjen e përvojave më të mira në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.
Ministri Manja vlerësoi edhe bashkëpunimin mes Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe USKOK në Kroaci.
“Bashkëpunimi mes SPAK në Shqipëri dhe USKOK në Kroaci është një sukses i madh dhe ka qenë në vazhdimësi që prej krijimit të SPAK në Shqipëri. Ky bashkëpunim i ngushtë është një shembull i mirë i përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar kriminalitetin e organizuar dhe korrupsionin në rajon”, u shpreh ministri Manja në rrjetet sociale.
Sipas tij, ky ndërveprim i ngushtë do të vazhdojë të jetë shumë i rëndësishëm për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të siguruar drejtësi në dy vendet.
Më herët, sot, ministri Manja u takua edhe me homologun kroat, Ivan Malenica, ku palët ranë dakord për të punojnë ngushtësisht për kapitujt e Drejtësisë në negociatat për integrimin në BE të Shqipërisë.
/r.e/























