TIRANE, 7 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijoi turin e takimeve me qytetarë në vend duke biseduar me banorë të Dimalit.
Basha publikoi në rrjetet sociale takimin në një kafe mëngjesi me disa banorë të kësaj bashkie, nga ku më pas do të vazhdojë takimet derë më derë, ku sot fokusin kryesor në këtë njësi vendore do ta ketë bujqësia dhe fermerët.
Basha, bisedoi me fermerët të cilët, sipas tij, po vuajnë pothuajse plotësisht mungesën e vëmendjes së qeverisë. Basha tha se fermerët i shprehen shqetësimet e tyre, ndërsa Basha nga ana e tij tha se PD ka si prioritet të programit të saj luftën e pakompromis ndaj korrupsionit dhe fundi i pandëshkueshmërisë në nivelet e larta të politikës.
“Fermerët shqiptarë vazhdojnë të vuajnë nga mungesa e vëmendjes së qeverisë. Rritja e çmimeve dhe mungesa e mbështetjes i ka bërë ata të dalin me humbje dhe shpesh herë prodhimet e tyre të kalben”, u shpreh Basha në rrjetet sociale.
“Vendimi i Brukselit për pezullimin e granteve të programit IPARD tregon makutërinë e kësaj qeverie, që abuzon edhe me fondet e BE-së, duke lënë në mëshirë të fatit fermerët e ndershëm të këtij vendi, për të favorizuar klientët e zakonshëm që më këto fonde ndërtojnë restorante e vila në komplekset luksoze. Lufta e pakompromis ndaj korrupsionit dhe fundi i pandëshkueshmërisë në nivelet e larta të politikës, janë prioritete të Partisë Demokratike, arritja e të cilave garanton ndryshimin që shqiptarët presin, mbështetje për bujqësinë dhe zhvillim ekonomik”, tha Basha.
Basha në familjen e Idajet Çelës në Samaticë
Gjatë qëndrimit në Dimal, kryetari i PD, Lulzim Basha vizitoi edhe familjen e Idajet Çelës në Samaticë, familje e cila nuk ka reshtur asnjë sekondë së mbështeturi PD dhe të djathtën shqiptare.
“Pata kënaqësinë të vizitoja shtëpinë e Idajet Çelës, në Samaticë, Dimal; një familje fisnike me kontribut të pakursyer për të djathtën.
Partia Demokratike do t’u ofrojë shqiptarëve një model të ngritur mbi vlerat dhe aktet e qendrestarëve. Një familje politike që harmonizon përpjekjet e brezave, nga themeluesit tek anëtarët me të rinj, për ta bërë një forcë bashkohore, të hapur, të fortë, që dëgjon qytetarët dhe kujdeset për ta e përmes të cilës shqiptarët të ndërtojnë të ardhmen që duan”, – shprehet Basha.























