TIRANË, 3 tetor /ATSH/ Partia Demokratike denoncoi sot rritjen e tarifave nga ana e ujësjellësave.
Inxhinieri Azmer Duleviç u shpreh sot në një deklaratë për mediet se, “sipas Entit Rregullator të Ujit, një unifikim i sforcuar i tarifave në të gjithë zonën e shërbimit, që sjell më pas një rritje të menjëhershme të tyre në njësitë me tarifa relativisht të ulta, mund të sjellë reaksione të forta nga konsumatorët me pasojë ulje të normës së arkëtimit dhe ulje të aftësive likuiduese financiare të shoqërisë”.
“Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM) pas rakordimit të të dhënave me OSHEE Group Sh.a, raportonte se detyrimet e akumuluara (principal pa kamata) të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve rezultojnë të jenë në vlerën 14.01 miliardë Lekë. Nga totali i detyrimeve principal pa kamata të raportuara, vetëm ndërmarrja e UK Sh.a Durrës ka 4.93 miliard Lekë detyrime të akumuluara në vite”, u shpreh ai.
“Në total janë të paktën 5 ndërmarrje ujësjellës-kanalizimesh që kanë detyrimet më të mëdha të energjisë në raport me borxhin total”, theksoi Duleviç.
“Pas Durrësit e dyta vjen Vlora me 1.44 miliardë lekë, Patosi me 860 milionë lekë, Fieri me 770 milionë lekë dhe Kavaja me 760 milionë lekë. Sektori i ujësjellës-kanalizimeve është një ndër ata që shfaqin performancë më të dobët dhe që mbështetet vazhdimit nga buxheti i shtetit”, shtoi ai.
Sipas tij, “pas dështimit spektakolar me Ujësjellësat, Qeveria ka vendosur të bëj një reformim ku nga 58 shoqëri do të krijohen 15 të tilla që do të rezultojnë nga bashkimet”.
“Reforma do të finalizohet me krijimin e 15 shoqërive, nga 58 që ishin deri vitin që shkoi, teksa aktualisht janë krijuar 12 prej tyre. Kjo nënkupton se një shoqëri, tashmë përfshin disa bashki ku aktualisht apikohen tarifa të ndryshme të ujit, por që do të shkojnë gradualisht drejt unifikimit. Përshembull ujësjellësi i Durrësit, tashmë përfshin edhe Shijakun, Krujën, Kavajën dhe Rrogozhinën, ndërsa ujësjellësi i Korçës, ka në përbërje edhe Devollin, Ersekën, Maliqin dhe Pustecin. Për keqaministrimin e ujësjellësit të Korçës do u rritet çmimi qytetarëve të Devollit, një absurd llogjikë”, u shpreh më tej ai.
“Sipas metodologjisë së re të përllogaritjes të çmimeve nga pagesat e ujit, duhet të mbulohen jo vetëm nevojat për të ardhura të shoqërisë, për mbulimin e kostove të operimit, por edhe mbulimin e kostove të investimeve që kryhen nga ujësjellësit, çka rrjedhimisht sjell rritjen e tyre. Ndërkaq, vetë Enti Rregullator i Ujit ka parashikuar vështirësi në unifikimin e tarifave, duke qenë se diferencat e tarifave aktuale ndërmjet zonave janë të mëdha, për shkak të kostove mjaft të ndryshme të operimit dhe të cilësisë së shërbimit në njësitë përbërëse të tyre”, theksoi Duleviç.












