Ballina Aktualitet

Miratohen ndryshimet në ligjin “Për avokaturën e shtetit”

TIRANË, 3 tetor /ATSH/ Në drejtimin e kryetares Jorida Tabaku, Komisioni për Çështjet Europiane shqyrtoi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10018, datë 13.11.2008 “Për avokaturën e shtetit”.

Të ftuar për këtë projektligj ishin Odise Moçka, Avokat i Përgjithshëm i Shtetit dhe Eva Dyrmishi, Avokate e Shtetit.

Moçka në fjalën e tij u shpreh se, ky ndryshim ligjor erdhi si domosdoshmëri e faktit se me ndryshimin e hartës gjyqësorë edhe struktura e avokaturës së shtetit do të pësonte ndryshime.

“Në ligjin e mëparshëm struktura ishte vendosur që zyrat vendore të Avokaturës së Shtetit të jenë të vendosura pranë gjykatave të Apelit, ndërkohë që me hartën e re gjyqësore u vendos që Gjykatë Apeli të ketë vetëm në Tiranë, dhe bazuar në këtë logjikë u pa e arsyeshme që të kishim ndryshime ligjore sa i përket strukturimit të Avokaturës së Shtetit”, theksoi Moçka.

Relatorja e çështjes Pranvera Resulaj, vuri në dukje se projektligji synon përmirësimin e performancës së këtij institucioni, duhet të krijoje një mirëfunksionim dhe mirë organizim për shkak të ndryshimeve të hartës së re gjyqësore.

Pas diskutimeve, komenteve të ndryshme, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, Nen për Nen dhe në tërësi.

Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7975 datë 26.7.1995 “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, të ndryshuar”.

Të ftuar për të prezantuar këtë projektligj ishin zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Entela Ramosacaj dhe Barjola Hodaj, drejtore në Drejtorinë e Politikave të Farmaceutikës dhe Pajisjeve Mjekësore.

Zëvendësministrja u shpreh se, me anë të këtij projektligji synohet përditësimi i tabelave të klasifikimit të barnave narkotike dhe lëndëve psikotrope sipas parashikimeve më të fundit të Fondit Ndërkombëtar të kontrollit të narkotikëve.

Relatori i projektligjit, Blendi Klosi tha se, ky projektligj që vjen sot ka ardhur si domosdoshmëri pasi ligji aktual është shume i vjetër dhe duhet rishikuar, por edhe se disa barna janë pjesë e munguar në këtë ligj, të cilat duhet të shtohen bazuar në materialet e Bashkimit Evropian si edhe të dakordësuara me Ministrinë e Shëndetësisë.

Komisioni vazhdoi me pyetje përgjigje mbi këtë projektligj.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNis në Mitrovicë Festivali Tradicional i Komedisë
Artikulli tjetër8 ditë pas sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiç ndalohet në Serbi