TIRANË, 2 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta uroi sot studentët dhe stafin pedagogjik për fillimin e vitit të ri akademik.
“Suksese studentëve dhe stafeve pedagogjike në nisjen e këtij viti të ri akademik. Urimet më të mira për arritje të reja e më të mëdha për të gjithë ju, teksa sytë tanë janë të drejtuar tek universitetet e Shqipërisë, të cilat duhet të jenë djepi i mendimit shkencor, i mendimit kritik profesional dhe i zhvillimit të gjithanshëm”, u shpreh Meta.
“Çdo qytetar i jep shoqërisë nga vetja duke e formësuar atë, por askush më tepër se studentët. Studentët janë shpresa dhe vetë e ardhmja e transformimit social, ekonomik e kulturor të Shqipërisë”, theksoi ai në mesazhin e urimit.
Sipas tij, “jeta universitare është goditur vit pas viti, vendim pas vendimi, nga qeveria shqiptare. Në një kohë kur vendet Evropiane e mbështesin arsimin universitar, kërkimin shkencor, inkurajimin e zgjerimit të profesoratit, qeveria shqiptare ka ndërmarrë hapa destruktivë për të tkurrur auditoret dhe kontrolluar profesorët”.
“Etja për dije e studentëve shqiptar dhe talenti i jashtëzakonshëm i tyre për të kaluar kufijtë na mbush me optimizëm për ndryshimin e Shqipërisë, që pasurohet nga gjenerata të reja të arsimuara, gati për të qenë brezi i ri i ekonomistëve, inxhinierëve, mjekëve dhe drejtuesve të shtetit tonë”, nënvizoi Meta.
“Të gjithë bashkë duhet të bëjmë gjithçka për lirinë akademike, për uljen e kostove të arsimit universitar dhe rritjen e fondeve, që shkojnë nga buxheti i shtetit për formimin profesional e shkencor të brezit të ri”, theksoi Meta.
“Të jemi një aleancë e fortë dhe pa kompromis përballë arrogancës së pushtetit, që i ka bërë të rinjtë dhe studentët të mendojnë më së shumti për emigrimin, e të ringjallim shpresë për një Shqipëri, që i përgjigjet ritmit të ambicieve legjitime të studentëve të saj. Mbarësi në çdo hap drejt dijes!”, përfundoi mesazhin e tij, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
/r.e/






















