TIRANË, 1 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një interviste në Euronews Albania, ka lajmëruar se PD do të kërkojë interpelancë me kryeministrin Rama që të sqarojë deklaratën e tij për largimin e policisë së Kosovës nga veriu.
Basha u shpreh se, “Serbia është delja e zezë e Ballkanit është një vend i dyzuar dhe gjithmonë përdorin mjete të tjera për të zgjidhur problemet politike. Aleati më i ngushtë i Vuçiç është shpallur “Non Grata”. Moska nuk e bën këtë për interesat serbe . Interesi i Moskës është të hap një front të dytë. Në këtë front të dytë po përdor qytetarët e një vendi tjetër”.
“Rama duhet të sqaroj nëse është i painformuar apo nëse po kërkon largimin e policisë së Kosovës nga Veriu. Të kërkosh që KFOR të vendoset në Veri të Kosovës nëse je i informuar do të thotë të largohet policia e Kosovës. Një deklaratë e tillë është e rrezikshme dhe e dënueshme dhe kur vjen nga një autoritet i Serbisë e jo më të vijë nga cilido person me përgjegjësi publike në Shqipëri e aq më pak nga Shefi i qeverisë shqiptare. Nëse Rama ka kërkuar largimin e policisë së Kosovës, Rama urgjentisht duhet të merret nën mbikëqyrje politike dhe të gjithë-anshme. PD do të depozitojë një kërkesë nesër për interperlancë me Ramën për këtë deklaratë”, theksoi Basha.
Sa i përket caktimit të tij si raporter nga KiE për sekuestrimin e aseteve ruse, Basha u shpreh se, për të është një përgjegjësi e madhe dhe një besim i madh.
Ai theksoi se, është hera e parë që Shqipëria ka një raporter për një çështje kaq të rëndësishme.
“Agresioni i paprovokuar, krimi që Putin ka kryer dhe po kryen ka një faturë të jashtëzakonshme mbi Ukrainën në dëmin e pallogaritur të jetëve njerëzore të humbura të plagosura, të gjymtuara nga lufta, në dëmin e pronës publike e private. I njëjti agresor ka një rrjet të aseteve të veta, në vendet e G7 me një vlerë mbi 300 miliardë dollar, janë asete të Shtetit rus. Detyra ime si raporter i Këshillit të Europës është hartimi i një kuadri që do t’I propzohet vendeve anëtare por dhe vendeve jo-anëtare të Këshillit të Europës, me anë të cilit këto fonde të vihen në dispozicion të rindërtimit të Ukrainës. Për mua është një përgjegjësi e madhe dhe një besim i madh dhe është hera e parë që Shqipëria ka një raporter për një çështje kaq të rëndësishme. Dëmet duhen filluar nga ai që ka shkaktuar këtë dëm. Është një punë voluminoze dhe e komplikuar, por mendoj se do ja dalë me sukses kësaj pune. SHBA dhe BE paguajnë 1 miliardë euro në ditë për Ukrainën. Është një përgjegjësi që e marrë me kënaqësi dhe si një shenjë besimi ndaj PD të Shqipërisë”, tha Basha.























