Ballina Aktualitet

Akademia e FA, master për sigurinë kibernetike, Rama: Programi ndjek standardet e NATO-s

TIRANË, 27 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama përmes një reagimi në rrjetet sociale u ka bërë të thirrje të rinjve të bëhen pjesë e Akademisë së Forcave të Armatosura, ku tashmë mund të ndjekin programin e masterit për sigurinë kibernetike.

Rama thekson se kjo është një mundësi e shkëlqyer për të gjithë ata që dëshirojnë të specializohen dhe të thellojnë njohuritë në fushën e Sigurisë Kibernetike.

Kreu i qeverisë nënvizoi se ky është një program i niveleve bashkëkohore që ndjek standardet e NATO-s.

Akademia e Forcave të Armatosura, Fakulteti i Mbrojtjes dhe Sigurisë ofron për herë të tretë në vitin akademik 2023-2024, programin e ciklit të dytë të studimeve, Master Profesional: Siguri Kibernetike në Fushën e Mbrojtjes (Cyber Defence)

Ky program studimi ka për qëllim të formojë gjeneratën e re të profesionistëve ushtarakë dhe civilë, të cilët do të përfitojnë njohuritë e duhura dhe eksperiencat për të zhvilluar sisteme më të sigurta kompjuterike. Ai synon t’i pajisë studentët me njohuri mbi bazat teorike dhe t’i aftësojë me praktikat e nevojshme në fushën e sigurisë kibernetike të sistemeve të mbrojtjes, për të qenë të suksesshëm në këtë fushë sfiduese, shumë të nevojshme dhe të dobishme.

Kliko linkun e mëposhtëm dhe merr gjithë informacionin e detajuar:

https://shorturl.at/ivzU1

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAksion kundër narkotikëve në Korçë, pranga 45-vjeçarit
Artikulli tjetër​Digjet një veturë në veri