Ballina Aktualitet

Xhixho: Arsimi sot, më i rrënuar se kurrë

TIRANË, 22 shtator /ATSH/ Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho u shpreh në një deklaratë për mediet se, “arsimi sot është më i rrënuar se kurrë”.

“Shpopullimi i ka zbrazur shkollat e sistemit parauniversitar, këtë vit mungojnë mbi 2 mijë nxënës në bankat e shkollës”, u shpreh ajo.

“Sikur të mos mjaftonte sistemi me 1001 e probleme, shumë larg edhe standardeve të rajonit, e sikur të mos mjaftonin pamundësitë financiare të prindërve, prej vitesh të rinjve shqiptarë droga u serviret në mjediset e shkollës”, theksoi Xhixho.

“Ka disa ditë që në media raportohet arrestimi i dhjetëra shpërndarësve të drogës në afërsi të shkollave të vendit. Por, pyetja që shtrohet sot nga të gjithë është: Kush e shkaktoi këtë situatë alarmante në mjediset arsimore shqiptare? Operacioni që po propagandohet me bujë si sukses, nuk është gjë tjetër veçse tregues i dështimit spektakolar të mekanizmave parandalues që duhej të garantonin sigurinë dhe shëndetin e fëmijëve tanë në institucionet arsimore të gjithë vendit”, tha ajo.

“Tregu i drogës në shkolla nuk u krijua brenda natës, por është mbi të gjitha pasojë e kësaj qeverie që jo vetëm nuk e dekurajoi, por frymëzoi bandat e drogës në vend. Policimi në komunitet ka dështuar! Kjo qeveri ka përgjegjësinë kryesore për këtë situatë ulëritëse për të rinjtë tanë. Rezultatet e aksionit që Policia e Shtetit na tregon çdo ditë janë thjesht numra provizorë”, tha Xhixho.

Nënkryetarja e LSI u shpreh se, “nëse vërtetë kjo mazhorancë do e kishte të vërtetë luftën me drogën, të marrë një vendim sot, të tërheqë urgjentisht ligjin për kanabisin, si një kërcënim madhor për mijëra fëmijë e të rinj në mbarë vendin”.

“Siç ndodhi me lojërat e fatit, të cilat kjo qeveri po i rikthen sërish bashkë me plagët sociale që ato hapin.

Ata pak të rinj që kanë mbetur në vend janë sot të sfiduar nga qeveria e vet. Pasojat sociale të drogës dhe lojërave të fatit do të jenë katastrofike. Dëmet e që ato shkaktojnë te të rinjtë janë në pjesën më të madhe të parikuperueshme”, tha Xhixho.

Ndaj, theksoi ajo, “duhet të veprohet sot, dhe pse shumë vonë, duke i anuluar këto dy ligje! Është urgjente që e ardhmja e brezit të ri dhe siguria e tyre të jetë prioriteti ynë numër 1”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Chmygal: Rusia rifilloi terrorin energjetik kundër Ukrainës
Artikulli tjetërDemo, takim me bizneset mbi mbrojtjen e konkurrencës