Ballina Bota

SOFJE – Nis konferenca ndërkombëtare kushtuar Ballkanit

SOFJE, 21 shtator /ATSH-BTA/ – Konferenca ndërkombëtare e titulluar “Ballkani i Paqes, Sigurisë, Bashkëpunimit dhe Partneritetit” ka nisur sot në Sofje nën kujdesin e presidentit bullgar, Rumen Radev.

Veprimtaria organizohet nga Instituti Strategjik për Politikat dhe Idetë Kombëtare, Forumi për Transportin dhe Infrastrukturën Ballkanike dhe Shoqatën Kombëtare për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

Në fillim të konferencës, zëvendëspresidentja bullgare, Iliana Iotova tha se vendet e Ballkanit kanë një histori të përbashkët, e cila vetëm mund t’i bashkojë, dhe jo t’i ndajë.

“Biseda në shekullin XXI nuk duhet të jetë për të kaluarën. Ne jemi të destinuar të bashkëjetojmë tani sipas fatit tonë të përbashkët, duke u përpjekur të sigurojmë paqen dhe prosperitetin për veten dhe fëmijët tanë”, tha ajo.

“Si t’i bëjmë fëmijët tanë të qëndrojnë këtu, të zhvillojnë talentet dhe aftësitë e tyre, të qëndrojnë në atdheun e tyre dhe të mos ikin në vendet më të zhvilluara për të kërkuar të ardhmen e tyre atje? Çfarë duhet të bëjmë për zhvillimin tonë të përbashkët?Si t’i bëjmë projektet tona realitet?” tha Iotova.

“Në vend që të përvetësojmë historinë, të luftojmë për heronjtë tanë, të mbysim shprehjen e lirë të etnisë, ne duhet të respektojmë të drejtat e njeriut”, shtoi ajo.

Sipas saj, njerëzit flasin për të drejtat e njeriut si “një politikë luksi”.

“Na duhet të ndalim këtë trend të rrezikshëm dhe shqetësues dhe t’u kushtojmë vëmendje problemeve të njerëzve në vend të dokumenteve të vjetra”, theksoi ajo.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Rruga Ballaban-Berat, investim i shumëpritur që shkurton kohën e udhëtimit
Artikulli tjetërBegaj takon Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Guterres