TIRANË, 19 shtator/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur sot se shumë shpejt do të ashpërsohen gjobat për personat që hedhin mbetje nga automjetet përgjatë rrugëve nacionale dhe jo vetëm.
Në një postim në rrjetet sociale, Kumbaro tha se “një prej rrugëve më të frekuentuara nga të gjithë kur duam ta arrijmë shpejt bregdetin, siç është Levan-Vlorë, kthehet në kosh plehrash nga disa që i shohin këto hapësira si të armikut dhe duan t’i shëmtojnë e dëmtojnë sa më shumë”.
Por, sipas Kumbaros, kjo nuk do të lejohet, pasi Policia e Shtetit ka nisur ndëshkimet shembullore për kësi ndotjesh.
“Shumë shpejt ashpërsojmë gjobat për këdo që i shkon ndër mend ta trajtojë hapësirën publike si kazan ku të vërvisë nga dritarja e makinës ç’të dojë”, theksoi Kumbaro.
Duke falënderuar punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Kumbaro tha se “ata kanë pastruar pisllëkun në këtë aks dhe gjithë sezonin kanë qenë të përkushtuar në mbrojtjen e imazhit të Shqipërisë turistike, imazh që s’do ta lëmë të cenohet nga pakica e papërgjegjshme”.
Në të gjithë vendin sidomos në zonat turistike po punohet për pastrimin e mbetjeve, dezinfektimin e koshave dhe larjen e rrugëve.
/k.s/r.e/























