Ballina Flash

Përurohet fusha e re në kompleksin e klubit “Dinamo”

TIRANË, 12 shtator/ATSH/ Një tjetër fushë i shtohet qytetit të Tiranës dhe më konkretisht në kompleksin e ri të klubit “Dinamo”.

Bëhet fjalë për një investim të përbashkët mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe klubit të “Dinamos”, që vjen në vazhdën e investimeve të rëndësishme në infrastrukturë dhe projektit madhor “100 fushat” të FSHF-së.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, inspektoi sot fushën e re që ndodhet në Arbanë, së bashku me presidentin e “Dinamos”, Ardian Bardhi, por edhe ambientet e reja të klubit, që konsistojnë në një hotel e restorant, apo të gjitha lehtësirat e tjera që i nevojiten një klubi. Në këtë inspektim ai u takua edhe me disa nga ish-futbollistët e njohur të klubit dinamovit, që tashmë janë pjesë e stafit drejtues e teknik të klubit.

Investimi i fundit është kryer me bashkëfinancim të FSHF, e cila ka kontribuar me një shumë të konsiderueshme për tapetin dhe vendosjen e fushës si edhe me ekspertët e saj që kanë bërë të mundur ndërtimin e një fushe mjaft të mirë e ku mund të stërviten shumë të rinj.

Presidenti Duka gjatë inspektimit theksoi se “Federata i është bashkëngjitur projektit serioz të klubit ‘Dinamo’, duke dhënë mbështetjen për ndërtimin e fushës me tapet artificial”.

Gjithashtu, ai bëri të ditur e FSHF do të mbështesë financiarisht vijimin e projektit edhe për një tjetër fushë me bar natyral që do të ndërtohet po në klubin e “Dinamos”.

“Në dy-tre vitet e fundit ‘Dinamo’ ka vërtetë një strategji, një projekt serioz për të zhvilluar klubin dhe këtij projekti serioz padyshim i është bashkangjitur Federata Shqiptare e Futbollit për të kontribuar bashkërisht për të zhvilluar infrastrukturën e për të krijuar kushte jo vetëm për ekipin e parë, por edhe për fëmijët, për akademitë dhe për të siguruar të ardhmen e klubit dhe të fëmijëve që i bashkohen klubit. Bashkërisht kemi përfunduar punimet për fushën e re të stërvitjes me tapet artificial dhe projekti do të vazhdojë me fushën tjetër në krah, që do të jetë me bar natyral për ekipin e parë kryesisht. Por, projekti në total i investimit është akoma më i madh edhe me kompleksin e ndërtuar që ka hotel dhe të gjitha ambientet e domosdoshme që i duhen një ekipi profesionist. Padyshim që nuk është as fillimi e as fundi i investimeve të Federatës së Futbollit për ndryshimin e infrastrukturës, për t’i shërbyer më shumë të ardhmes së futbollit. Ky projekt ka kohë që ka nisur dhe do të vazhdojë, pas këtij investimi në të njëjtën kohë ne jemi duke ndërtuar dhe disa fusha të tjera si në Kamzë, Vorë, Shkodër apo qytete të tjera, që do t’i shërbejnë të ardhmes së futbollit në Shqipëri”, tha  Duka.

Ndërsa, presidenti i “Dinamos”, Ardian Bardhi, nga ana e tij falënderoi FSHF-në për mbështetjen e dhënë dhe premtoi se do të vazhdojë me projektet për zhvillimin e klubit.

“Në total ky është një investim apo një sakrificë që ne kemi për klubin. Gjej rastin të falënderoj FSHF-në për ndihmën që na ka dhënë për fushat, për zhvillimin e ‘Dinamos’, të akademisë, të ekipit të parë dhe për gjithçka tjetër që po bëjmë në kompleksin tonë. Shpresojmë që të vazhdojmë me investime të mëtejshme dhe të kemi sa më shumë suksese”, theksoi Bardhi.

Po në kuadër të projektit “100 fushat” FSHF është duke investuar në disa fusha të tjera në disa qytete të vendit, që pritet të përfundojnë shumë shpejt.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBERLIN – Scholz: Tërheqja e trupave ruse është baza për paqen në Ukrainë
Artikulli tjetërEURO2024 – UEFA: Biletat do të kushtojnë nga 30 deri në 2000 euro