TIRANË, 12 shtator /ATSH/ Grupimit “Dhjetori ‘90” zhvilloi sot një marshim nga sheshi ‘Nënë Tereza’ drejt Memorialit të Azem Hajdarit. Ish-studentët u ndalën para Kryeministrisë për të mbajtur një minutë heshtje. Më pas u kryen homazhet në Memorialin e Azem Hajdarit në Tiranë.
Kreu i grupit të Rithemelimit të PD-së, Sali Berisha në një prononcim për mediet u shpreh se “Azem Hajdari është kushtrim i gjallë për të gjithë shqiptarët që sot të ngrihemi dhe të përmbysim diktaturën e krimit”.
“Sot, ne jemi këtu për të nderuar legjendën e guximit, trimërisë, të të rinjve shqiptarë, të studentëve shqiptarë, tribunin e lirisë, Azem Hajdari, në 25-vjetorin e ekzekutimit të tij shtetëror, nga falanga me uniformë të shtetit terrorist, vetëm e vetëm për bindjet e tij politike, së bashku me sivëllain e vet, Besim Çerja, të cilët një natë të 12 shtatorit 1998, ranë në breshëritë e kallashnikovëve të bandës shtetërore terroriste, të organizuar pa dyshim në aktin hakmarrës primitiv nga pushteti i atëhershëm”, tha Berisha.
“Azem Hajdari përbën një nga figurat më të rralla të historisë sonë kombëtare”, theksoi më tej Berisha.
“Asnjë shqiptar, si individ, nuk ka bërë aq sa ka bërë Azem Hajdari së bashku me studentët liberatorë për liritë e shqiptarëve”, nënvizoi ai.
“Mbetet pra, një nga figurat më të jashtëzakonshme në historinë e lirisë së këtij kombi”, theksoi Berisha.
Sot, shtoi Berisha, “nuk është e lehtë të imagjinosh dhjetorin e vitit 1990, kur ai u ngrit me një grup studentësh, me thirrjet: Liri Demokraci, Poshtë Diktatura. Ai u shndërrua në një magnet të fuqishëm të rinisë studentore, një lider epik me guximin e tij, i cili në një kohë të shkurtër gjunjëzoi diktaturën”.
“Ekzekutimi i tij, para selisë së PD, është vrasja shtetërore më e rëndë në historinë e shqiptarëve. Është atentati më makabër! Azem Hajdari, edhe sot pas 25 vitesh, është i gjallë dhe i pavdekshëm në zemrat e atyre që jetuan diktaturën dhe panë te ai, shpëtimtarin e tyre. Është i pavdekshëm dhe i përjetshëm në altarin e lirisë të kombit shqiptar”, u shpreh Berisha.
/r.e/























